14 Korrik, 2022 - 3:42 pm
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka suspenduar Kryeprokurorin e Gjakovës, Ramiz Buzhala, i cili dyshohet se i ka shpërndarë pyetjet e testit për “bashkëpunëtorë profesional”.
KPK’ja ka themeluar edhe panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore për Buzhalën.
“Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala. Gjithashtu, KPK ka marr vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala”, thuhet në komunikatën e KPK’së.
Në vend të tij ushtrues detyre i kryeprokurorit është caktuar prokurori Enis Gashi.
Buzhala ka dërguar në numrin e gazetares pyetjet e testit, duke shkruar “këto janë pyetjet për testin me shkrim”.
Këto pyetje i ka dërguar duke menduar se po i dërgon te një person tjetër. Ai në mesazhin e tij dërguar gazetares, i bën thirrje kandidates po ashtu me emrin Adelina që ta shfrytëzojë kohën deri në ora 13:00.
Komunikata e plotë e KPK’së:
Prishtinë, 14 korrik 2022 – Me kërkesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi, Jetish Maloku, ka mbajtur sot takim urgjent për të diskutuar lidhur me rastin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala.
Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala.
Gjithashtu, KPK ka marr vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala.
Pas suspendimit të Kryeprokurori Buzhala, Këshilli Prokurorial ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesional për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë./ Gazeta express / KultPlus.com