Sveçla: Sot Kryeministri Kurti shpalli vitin 2025 si vitin e grave

10 Janar, 2025 - 6:40 pm

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes rrjeteve sociale ka shprehur mirënjohjen dhe krenarinë për gratë dhe vajzat që shërbejnë në Policinë e Kosovës, duke theksuar kontributin e tyre të çmuar në mbrojtjen e rendit, ligjit dhe kufijve të vendit. Deklaratat e tij erdhën në kuadër të shpalljes së vitit 2025 si “Viti i Grave” nga Kryeministri Albin Kurti.

Sveçla vlerësoi rolin e 1,247 grave dhe vajzave që shërbejnë në Policinë e Kosovës, përfshirë 4 kolonele, 3 nënkolonele, 8 majore, 15 kapitene, 27 togere, 95 rreshtere, 746 police të larta dhe 251 police të reja. Ai theksoi gjithashtu pjesëmarrjen e tyre në njësitë speciale dhe patrullat kufitare.

“Ju jeni shembulli më emblematik se si vajzat dhe gratë e kryejnë detyrën për atdheun. Ju jeni ura që lidh besimin dhe sigurinë mes policisë dhe qytetarëve,” deklaroi Sveçla.

Ministri lavdëroi kontributin e grave në sektorë të ndryshëm të policisë, nga patrullat në komunitet, hetimet dhe mbrojtjen e kufirit, deri te njësitë speciale. Ai theksoi rolin e tyre si frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Ju keni hapur me kurajo një rrugë për gjeneratat e ardhshme të vajzave dhe grave, duke u bërë shembull i guximit, përpjekjes për barazi, përkushtimit dhe profesionalizmit.”

Sveçla siguroi mbështetje të plotë për policet dhe ftoi vajzat e reja t’i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës.

“E ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah jush, krenarë për shërbimin tuaj, të frymëzuar nga sakrificat dhe guximi juaj, e të përkushtuar për t’ju mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi”, ka shkruar ai./KultPlus.com

Të ngjajshme