Syri i Kaltër, infrastrukturë e re për këmbësorë e çiklistë

28 Korrik, 2022 - 10:55 am

Në “Syrin e Kaltër”, rreth 30 minuta larg nga qyteti i Sarandës,  është zbatuar projekti i rikualifikimit infrastrukturor, që e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt një prej perlave të natyrës shqiptare.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Syri i Kaltër, ku krahas pamjes magjepse të parkut, shihen mjaft vizitorë që frekuentojnë infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë.

“Syri i Kaltër në Sarandë, monument i natyrës që tani edhe me infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë, ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt një prej perlave të natyrës shqiptare”, shkruan Rama.

Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut.

Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota në çdo sezon veror./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme