“Syri i Kaltër”, një perlë natyrore mes ujit të kristaltë dhe gjelbërimit

20 Mars, 2025 - 9:00 am

Parku Natyror “Syri i Kaltër” është një nga atraksionet më të vizituara turistike në Sarandë, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj gjatë gjithë vitit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, duke ndarë foto nga peizazhi i mrekullueshëm i Parkut Natyror “Syri i Kaltër”, informon se burimi natyror me origjinë karstike, i vendosur në rrëzë të Malit të Gjerë, ofron një spektakël unik me ujin e tij të kristaltë dhe ngjyrat magjepsëse. “Përveç bukurisë ujore, zona përreth pasurohet nga një ekosistem i larmishëm, me bimësi të dendur dhe fauna të ndryshme, duke e bërë një destinacion ideal për adhuruesit e natyrës”, thuhet në postimin e AKZM.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura fton vizitorët të eksplorojnë këtë perlë natyrore, duke respektuar rregullat e mbrojtjes së mjedisit për të ruajtur integritetin e saj ekologjik.

“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.

Ai është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror”, me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër që mban brenda parkut.

Vitet e fundit “Syri i Kaltër” ka tërhequr shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme