11 Gusht, 2020 - 8:00 pm
Publikohet historia e panjohur e Beqir Ballukut, ish-ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”.
Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijëve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.
“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda radhëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë.
Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Plenumin e Pestë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Plenumi ai u përjashtua dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi.
Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithë çka që kishte ngjarë në atë Plenum, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjesëtarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhtar dhe nuk e kishte tradhtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vendi do e dërgonin.
Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithë çka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.balluku1
Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.
Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që iu bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Plenumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore?
Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?
Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri.
Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të.41d08068b547e09cc985c9e9ba2b730d_L
Zoti Çlirim, është thënë se Beqir Balluku deri në vitin 1974, ka qenë njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, dhe ajo gjë lidhej me faktin sepse ai e ka shpëtuar dy herë Enverin. Rasti i parë bën fjalë për vitin 1948 kur Josip Broz Tito i kërkoi Beqirit që të firmoste urdhrin për pranimin e futjen e dy divizioneve ushtarake jugosllave brenda kufirit tonë në zonën e Korçës, gjë të cilën Beqiri e refuzoi. Ndërsa rasti i dytë bën fjalë për vitin 1960 kur Shqipëria po i prishte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Një nga anëtarët e Byrosë Politike të asaj kohe, ka dëshmuar për Memorie.al duke thënë se në atë kohë që Enveri, Hysniu, Mehmeti, Kadriu dhe Ramizi ndodheshin në Moskë, atasheu ushtarak sovjetik që ishte në Tiranë, në pije e sipër e provokoi Beqirin duke i thënë: “Si thua, t’i lëmë jashtë ata të katërt dhe t’i japim ty çelësat e Shqipërisë”? Dhe insinuatës tepër të qartë të diplomatit ushtarak sovjetik, Beqiri iu përgjigj i prerë: “Po t’ju ndodhi gjë atyre të pestëve që ndodhen në Moskë, unë me dorën time do t’i var në Sheshin “Skënderbej” të 5000 rusët që janë në Shqipëri”. A keni dijeni ju dhe si qëndron e vërteta për këto dy ngjarje?
Mund të them se për këto dy ngjarje kam dëgjuar natyrshëm në momente të veçanta nga persona të ndryshëm, (jo të rangut të udhëheqjes së lartë) të cilët sot pas kaq vitesh nuk mund që t’i përcaktoj qartë dhe me ekzaktësi se kush kanë qenë. Por mendoj se fakti, d.m.th. se kush kanë qenë ata persona që kanë folur në prezencën e babait për ato dy momente historike, ku kanë qenë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.
Por vija re, se lidhur me historinë e atyre dy ngjarjeve dhe argumentimit të tyre, babait, Beqirit, nuk i pëlqenin të diskutoheshin fare dhe personat që i hapnin bisedat për to, ai i ndërpriste menjëherë duke e kaluar bisedën në çështje të tjera. Natyrisht duke mos qenë i njohur me ato ngjarje, sidomos me atë të vitit 1948, nga kurioziteti i moshës, unë isha i interesuar të mësoja diçka më shumë se ato që kisha dëgjuar nga goja e atyre personave që thashë më lart. Nisur nga kjo që thashë dhe gjithashtu nga personaliteti politik e ndërkombëtar që gëzonte në atë kohë udhëheqësi i Jugosllavisë, Marshali Josip Broz Tito, unë në koefidencë e pata pyetur babanë, se si qëndronte e vërteta lidhur me atë ngjarje. Dhe përgjigjia e babait ishte kjo që po jua them unë me fjalët e mia, sipas asaj që mbaj mënd nga biseda me të.
Gjatë një vizite pune në Beograd, diku aty nga viti 1948 kur babai ishte në funksionin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Marshali Tito e kishte thirrur Beqirin në një takim, jashtë programit të vizitave dhe takimeve të punës që ai kishte parashikuar para nisjes nga Shqipëria për në Beograd. Gjatë asaj bisede, pasi kishte shfaqur shqetësimin për një rrezik evident që mund t’i vinte Shqipërisë nga fqinji jugor i saj, Greqia, Josip Broz Tito, i kishte kërkuar Beqirit që ai, me cilësinë e shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare, të firmoste një dokument ku thuhej se ishte dakort për futjen e trupave jugosllave brenda territorit shqiptar.
Duhet të kemi parasysh se ky moment, pra kërkimi për firmosjen e atij dokumenti, bën fjalë për atë kohë kur Josip Broz Tito deklarohej dhe konsiderohej si miku më i madh i Shqipërisë.
Cila ishte përgjigjia e Beqir Ballukut lidhur me atë kërkesë që i bëri Josif Broz Tito?
Përgjigja që i kishte dhënë babai Titos, ishte kjo: “Shqipëria nuk ka ndonjë rrezik evident që të sulmohet nga Greqia, por edhe sikur të ndodhë kjo, ne jemi vetë në gjendje që t’i mbrojmë vetë kufijtë tanë me të gjithë arsenalin ushtarak që disponojmë. Por më kryesorja është se unë nuk jam i autorizuar që të firmos një dokument të tillë”. Ndoshta kjo histori për të cilën po flasim, është e lidhur edhe me një ngjarje tjetër të panjohur që ka të bëjë me rrëzimin e avionit ushtarak jugosllav me të cilin po kthehej babai nga Beogradi për në Tiranë pas mbarimit të asaj vizite. Gjatë udhëtimit me atë avion për në Tiranë, piloti jugosllav bëri një ulje të detyruar diku në një arë të punuar në afërsi të Liqenit të Pogradecit. Këtë ndodhi, nëna jonë, Taibja (bashkëshortja e Beqir Ballukut) e kujtonte deri sa ishte gjallë, me frikën që ndjeu në ato momente kur mësoi për ngjarjen që i kishte ndodhur babait me avionin jugosllav.
Po për ngjarjen tjetër, atë të vitit 1960 me atasheun ushtarak sovjetik në Tiranë, ç’mund të na thoni?
Për sa i përket ngjarjes së vitit 1960, atë që bën fjalë lidhur me krizën që kishte përfshirë marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, unë ato i kam të dëgjuara nga të tjerë, si në atë kohë, apo i kam lexuar në shtypin shqiptar të pas viteve ‘90. Lidhur me sa pyetët, mendoj se ka pak rëndësi forma se si iu përgjigj babai atasheut sovjetik (gjeneralit) në Tiranë, pas provokimit apo sugjerimit që i bëri ai, sepse, rëndësinë më të madhe e ka përmbajtja e përgjigjes që i dha Beqiri atij. Por, siç jam shprehur diku më lart gjatë kësaj interviste, desha të shtoj se: duke pasur parasysh impenjimin e madh të babait gjatë atyre ngjarjeve, më kujtohet fare mirë se ne si fëmijë, e ndjenim mungesën e tij në familje. / Memorie.al / KultPlus.com