11 Prill, 2024 - 4:00 pm
Ndërsa Bashkimi Evropian që nga viti 2017 po e mbështet Shqipërinë për gjetjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, sjell edhe histori ndërgjegjësuese të shqiptarëve që kanë vuajtur pasojat e këtyre ngjarjeve.
Kështu, BE ndau sot në rrjetet sociale historinë e Jovan Plakut i cili e pa imazhin e babait të tij për herë të parë në një fotografi të fshehur në një gardërobë të kyçur. Ishte 6 vjeç, nuk e kishte takuar kurrë dhe në shtëpi nuk ia përmendnin emrin.
Jovani është djali i Koço Plakut, inxhinier i ekzekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1976, pas një procesi gjyqësor të njohur si “Grupi i naftës”, ku dy inxhinierë u dënuan me vdekje dhe gjashtë të tjerë me burgim.
I akuzuar për “sabotim në sektorin e naftës” dhe “agjitacion e propagandë”, trupi i Koço Plakut nuk iu dha kurrë familjes së tij pas ekzekutimit. Ai dhe bashkëshortja u divorcuan pas arrestimit të tij, për të shmangur dënimin dhe internimin e gruas dhe djalit të tyre. Për shkak të divorcit, Jovani dhe nëna e tij nuk u informuan kurrë zyrtarisht për fatin e Koço Plakut.
Deri në rënien e regjimit komunist, Jovani dhe e ëma kishin ende një shpresë të zbehtë se Koço Plaku ishte gjallë në ndonjë burg diku. Pastaj miqtë e babait të tij u liruan nga burgjet dhe nuk pati më vend për dyshim. Ai ndjeu se kishte një detyrë tjetër: gjetjen e eshtrave të të atit për t’i bërë një varrim të denjë.
Koço Plaku është një ndër gati 6.000 personat e zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Nuk dihet numri i saktë, por organizatat vlerësojnë se janë rreth 6 mijë shtetas shqiptarë që janë ekzekutuar, kanë vdekur në burgje apo kampe pune,eshtrat e të cilëve nuk u janë dhënë kurrë familjeve të tyre dhe as nuk janë gjetur pas rënies së regjimit. Ata u varrosën në vende të panjohura, ndonjëherë në varre masive pa shenja që do të identifikonin praninë e një varri.
Deri në vitin 2018, shumë familje kanë kërkuar privatisht eshtrat e të afërmve, madje disa kanë arritur t’i gjejnë. Mirëpo, mijëra të tjerë si Jovan Plaku nuk i kanë gjetur, me gjithë përpjekjet dhe kërkimet e tij 30-vjeçare në vende të ndryshme.
Mbështetja e BE lidhet me fuqizimin e kapaciteteve teknike të Autoritetit të Dosjeve, prerogativat ndërgjegjësuese, si dhe duke rritur rolin e saj koordinues. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka zbatuar dy projekte për një total prej rreth 1 milion euro kontribute të BE-së. Në shkurt 2024, nisi një projekt i ri “Mbështetja e drejtësisë tranzitore dhe ballafaqimi me të kaluarën në Shqipëri” me ICMP-në, që synon të rrisë angazhimin e institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur si trashëgimi e së kaluarës dhe rritjen e kohezionit social në Shqipëri./ atsh / KultPlus.com