26 Dhjetor, 2021 - 8:00 pm
Talebanët njoftuan sot se gratë që dëshirojnë të udhëtojnë në distanca të gjata duhet të shoqërohen nga një i afërm burrë, një tjetër shenjë e ashpërsimit të regjimit pavarësisht premtimeve të tyre fillestare.
Rekomandimi i publikuar nga Ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve dhe i cili ka qarkulluar në rrjetet sociale, u bën thirrje edhe shoferëve që të pranojnë gra në automjetin e tyre vetëm nëse janë të mbuluara.
“Gratë që udhëtojnë më shumë se 45 milje (72 kilometra) nuk mund të bëjnë udhëtimin nëse nuk shoqërohen nga një anëtar i ngushtë i familjes”, tha zëdhënësi i ministrisë Sadeq Akif Muhajir.
Kjo direktivë vjen disa javë pas kërkesës së ministrisë drejtuar televizioneve afgane që të ndalojnë transmetimin e telenovelave dhe serialeve në të cilat luajnë gratë dhe të sigurohet që gratë gazetare të jenë edhe në ekran të mbuluara.
Që kur erdhën në pushtet në gusht, ata kanë vendosur kufizime të ndryshme për gratë dhe vajzat, pavarësisht premtimeve fillestare se regjimi i tyre do të ishte më pak i rreptë sesa gjatë mbretërimit të tyre të parë (1996-2001).
Në disa provinca, autoritetet lokale kanë rënë dakord të rihapin shkollat për vajza, megjithëse shumë prej tyre në të gjithë vendin ende nuk mund t’i ndjekin.
Më herët në dhjetor, një dekret në emër të liderit suprem të lëvizjes i bëri thirrje qeverisë të zbatonte të drejtat e grave, por dekreti nuk trajtonte të drejtën për arsimim.
Gjatë sundimit të tyre të parë, talebanët e bënë të detyrueshme që gratë të veshin burkën.
Ato mund të largoheshin nga shtëpitë e tyre vetëm kur shoqëroheshin nga një burrë dhe nuk lejoheshin të punonin dhe të studionin. / KultPlus.com