“Tales of time”, shfaqje e baletit kontemporan në Teatrin Eksperimental

10 Mars, 2025 - 2:32 pm

“Tales of time” (Rrëfimet e kohës) ishte shfaqja e vënë në skenë gjatë fundjavës, nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Tales of time” ishte një prodhim i Teatrit Eksperimental në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë, me koncept e skenografi të Anna Possarnig. Në skenë performuan: Valentina Myteveli, Mariel Brahimllarid dhe Semela Skënderasi nën tingujt e Joel Diegert.

Baleti kontemporan preku historitë që përbëjnë përvojën njerëzore, narrativat e ndryshme mbi të cilat ne e bazojmë jetën dhe identitetin tonë. Shfaqja erdhi si një eksplorim i rrëfimeve tradicionale popullore të të dy vendeve dhe i kontekstualizoi ato me realitetin tonë të perceptuar.

Performanca rreket t’u japë përgjigjje pyetjeve të tilla si: Kush jemi ne dhe sa prej nesh është ndërtuar përmes përvojës së paraardhësve tanë? Cilat janë ngjashmëritë midis historive tona personale? Si është e ndryshme jeta jonë moderne? Nga çfarë jemi krijuar? Dhe mbi të gjitha, a nuk po funksionojmë ende sipas të njëjtave rregulla, edhe pse dixhitalizimi ndryshoi jetën tonë të përditshme?./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme