1 Shtator, 2021 - 7:30 pm
Pas largimit të forcave amerikane dhe atyre të NATO-s nga Afganistani, talibanët besohet se kanë arritur të marrin nën kontroll mjete luftarake tokësore dhe ajrore me vlerë miliona dollarë, duke rritur ndjeshëm fuqinë e tyre.
Sipas një bilanci paraprak të mjeteve luftarake që kanë mbetur, besohet se xhihadistët kanë tani në zotërim më shumë mjete ajrore se sa 1/3-ta e vendeve anëtare të NATO-s. Për krahasim, talibanët besohet se kanë në zotërim 48 mjete ajrore luftarake, ndërsa Shqipëria 19.
Përgjatë muajve të fundit, talibanët kanë marrë nën kontroll 10 baza ajrore dhe të mërkurën kanë nisur një operacion me një helikopter Black Hawk, me vlerë 6 milionë dollarë, në Luginën Panjshir, ku është përqendruar një grup luftëtarësh të rezistencës afgane.
Raportohet se drejtuesit talibanë kanë instruktuar ndjekësit e tyre që të gjejnë të gjithë pilotët afganë të këtyre mjeteve ushtarake, që kanë kryer stërvitje intensive me ushtarët e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate. Avioni më i rëndësishëm i sekuestruar nga Talibanët ishte në aeroportin e Kabulit, një model Hercules me vlerë 14 milionë dollarë.
Forcat Ajrore të Afganistanit kishin në përdorim 167 mjete ajrore, 108 helikopterë dhe 59 avionë, sipas inventarit të fundit të bërë nga qeveria amerikane më 30 qershor 2021. Para rënies së Kabulit, Uzbekistani konfirmoi se 22 avionë dhe 24 helikopterë kishin mbërritur në vend për të shmangur marrjen e tyre nga talibanët. Ndërsa gjenerali amerikan Frank McKenzie, tha se trupat amerikane kishin shkatërruar 73 avionë dhe helikopterë, para se të largoheshin nga vendi të hënën. / KultPlus.com