6 Mars, 2020 - 8:31 pm
Ylli amerikan i muzikës, Taylor Swift, i ka dhuruar 1 milion dollarë për fondacionin “Middle Tennessee Emergency Response Fund”, pas tornados shkatërrues që e preku vendin gjatë javës.
Këngëtarja 30-vjeçare, e cila si fëmijë ishte shpërngulur në Tennessee dhe e konsideron këtë vend si shtëpinë e saj, e ka dhuruar këtë shumë të lartë të hollash për t’i ndihmuar personat e prekur nga tornado, transmeton KultPlus.com
Përmes një postimi në Instagram, Swift ka deklaruar: “Nashville është shtëpia ime dhe fakti që aq shumë njerëz në Tennessee i kanë humbur shtëpitë e tyre dhe shumë më shumë, më ka prekur tej mase. Prandaj kam vendosur t’i dhuroj para fondacionit ‘Middle Tennessee Emergency Response Fund’. Nëse jeni të interesuar të veproni njësojë, ndiqni këta hapa,” kishte shkruar pop këngëtarja në mesazhin e saj, të përcjellë me linkun ku të interesuarit mund t’i bëjnë donacionet.
Edhe pse Swift nuk e ka potencuar shumën e të hollave që i ka dhuruar, organizata në fjalë ka bërë të ditur se ajo i ka dhuruar plot 1 milion dollar.
Sipas fondacionit, të hollat e grumbulluara nga këto donacione, do t’i dedikohen organizatave joprofitabile të cilat i ndihmojnë viktimat e kësaj katastrofe natyrore, që i la të vdekur 24 persona. / KultPlus.com