1 Nëntor, 2024 - 3:48 pm
“Kosovo-Albania Theatre Showcase 2024” ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqjen “Të bardhët”, prodhim i Qendrës Multimedia Prishtinë, ndërkohë që mbrëmja u përmbyll tek “ArTurbina” me shfaqjen “Kamarja e turpit”, të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Kasti përbëhet nga tre aktorët: Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Bujar Ahmeti. Qendra Multimedia e cilëson këtë shfaqje si, “një satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist”. “Kamarja e turpit”, vepër e Ismail Kadaresë, erdhi në skenë me regji të Kushtrim Koliqit dhe ishte dramatizuar nga Doruntina Basha. Interpretuan aktorët Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi.
“Kamarja e turpit” u botua për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”.
Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M kanë sjellë për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, “Kosovo – Albania Theatre Showcase- 2024”, që nisi më 29 tetor dhe vijon deri më 2 nëntor./atsh/KultPlus.com