6 Korrik, 2019 - 8:35 pm
Entela dhe Erjon Sylari, janë një çift bashkëshortësh të cilët janë në pritje për birësimin e një fëmije. Procedurat e tyre kanë nisur prej një viti, dhe tashmë kësaj pritjeje po i vjen fundi. Erjoni 40 vjeç, është mjek dhe pastor i kishës Ungjillore në Lushnje, ndërsa Entela 37 vjeç drejton një kopsht të cilin ata e kanë krijuar vetë. Për Report TV ata kanë rrëfyer historinë e tyre, arsyen pse vendosën që fëmija i parë të ishte i birësuar, si edhe përjetimet që i kanë shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi.
Erjoni: Vjet në janar, vendosëm të dy së bashku që të fillonim procedurat dhe letrat që duheshin, në mënyrë që të ishte një dosje e përshtatshme për birësimin e një fëmije.
Entela: Në fakt ajo lista priti 6 vite tek frigoriferi ynë, që kur unë isha 30 vjeç kemi dashur që të birësojmë, por ne morëm kohë, deri sa të ishim gati.
Erjoni: Ne luteshim domethënë, “Zot na ndihmo”, ta realizojmë këtë gjë, sepse unë them janë punët e Zotit. Sepse ndonjëherë kur ti dëshiron të bësh diçka perëndia mbyll dyert, dhe pastaj të ndihmon ti bësh gjërat.
Entela: Çiftet kanë shumë zgjidhje sot që të mund të bëjnë një fëmijë, dhe të kenë fëmijë, dhe patjetër që edhe teknologjia ka avancuar, por zemra na thoshte, pse të mos restaurojmë jetën e dikujt që tashmë ekziston.
Erjoni: Na ka ndihmuar Zoti, sepse kur kemi aplikuar kemi qenë çifti i fundit, që plotësohej një grup prej 5 çiftesh për të vazhduar proçedurat e përshtatshmërisë si çift. Ne ishim aty në momentin e duhur, sepse vajza në maj ka lindur. Në momentin që ne nisëm dosjen ajo lindi. Pasi bën letrat nga janari deri në maj, dhe bëmë çdo gjë gati, në shtator ne kemi dalë përpara komitetit të birësimeve, dhe ata na kanë aprovuar që ishim çifti i përshtatshëm për të vazhduar. Duke parë shumë emra dhe duke ditur kuptimet e tyre, vendosëm ta quanim Destini, nuk është vetëm fat se ndonjëherë përkthehet si i tillë, por është destinacion, sepse ajo ndryshoi destinacionin e saj.
I emocionuar Erjoni tregon momentin e parë që takoi Destini. Zemra i dridhej, e zë nuk kishte, por përkëdheljet e vajzës nuk do t’i harrojë kurrë. “Unë vetëm AND nuk kam të asaj vajze, por ndjej dashuri, ndjej afrimitet, ndjej atë që quhet kimi. Jam aq i lidhur sa nuk e kuptoj fare që nuk është biologjikisht fëmija im. Ne kalojmë me vajzën çdo ditë dy orë, sipas rregullave, por nëse ne na merr malli kalojmë edhe dy orë pasdite.
Ditën e parë që e kam takuar vajzën, përveç se ajo më vodhi zemrën, mua më iku edhe zëri. Po përtypesha, po kollitesha, dhe ishte e vështirë, sepse është një emocion që vjen vetëm njëherë në jetën tënde. Që në atë moment pastaj, buzëqeshjet e saj, vëzhgimin që ajo bënte ndaj fytyrës time, prekjet që bënte, dhe sa herë që e marrim ajo është e etur për dashuri” tha ai.
Në shtëpinë e çiftit është gjithçka gati për të mirëpritur vogëlushen. E vetmja dëshirë që kanë ata është që Destini të festojë 1 vjetorin në shtëpinë e saj të re. Ata kërkojnë nga shteti që t;I përshpejtohen procedurat në mënyrë që data 25 maj, ta gjejë vajzën me prindërit e saj.
Erjoni: Kur na thanë që eja të shikoni vajzën, u përshtatëm direkt. Dhe sapo na thanë që nisën procedurat, ne filluam menjëherë të blinim gjërat që na duheshin. Blemë krevatin, blemë karrocën, blemë karriken ku ajo do ushqehet, rrobat, të gjitha gjërat e nevojshme. Jemi gati, vetëm po e presim për të filluar jetën.
Entela: Kërkoj një ndërhyrje nga shteti për përshpejtimin e procedurave, pasi vendimi ka dalë, vajza na takon ne, dhe kërkojmë që 1 vjetorin ta kalojë në shtëpinë e saj të re.
Historia e Erjonit dhe Entelës është një burim frymëzimi. Dashuria e tyre për fëmijët i lexohej në sy, ndërsa lutja e tyre më e madhe është që Destini, vogëlushja të cilës vendosën ti ndryshonin jetën, të ketë së shpejti një vëlla.