15 Korrik, 2023 - 8:31 pm
Inspektorati i Tregut gjatë inspektimeve në terren ka identifikuar dhe konfiskuar 417 produkte ‘Lodra për fëmijë – imitim i ushqimeve’, të cilat janë të ndaluara të vendosen në treg, për shkak të rrezikshmërisë që këto produkte paraqesin për shëndetin e fëmijëve, shkruan KultPlus.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se produktet mashtruese janë të ndaluara për prodhim, import dhe eksport në bazë të ligjit nr. 08/L-172 për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve.
“Produktet mashtruese janë ato produkte të cilat kanë pamje imituese, që nuk është produkt ushqimor por ka formë, erë, ngjyrë, dukje të jashtme, ambalazh, shenjë, vëllim ose madhësi të produktit ushqimor, ashtu që konsumatori, sidomos fëmija, të mund ta ngatërrojë me produktin ushqimor dhe ta vërë në gojë, thithë ose gëlltisë, çka mund të paraqesë rrezik ose të shkaktojë, ngulfatje, helmim, shpim ose pengesa në traktin e tretjes”, thuhet në një postim të Ministrisë së Tregtisë në facebook.
Më tutje Inspektorati i Tregut ka ftuar të gjithë qytetarët që nëse hasin në produkte të tilla në treg të lajmërojnë inspektorët e tregut të cilët do të reagojnë konform kompetencave që kanë.
“Për çdo rast qytetarët ftohen të raportojnë në:
Tel: 0800 11000 ose
E-mail: [email protected]
Të gjitha kërkesat dhe raportimet tuaja, do të shqyrtohen me kujdes”, thuhet në njoftimin e ministrisë./KultPlus.com