10 Maj, 2022 - 10:00 pm
15 maji do të jetë një ditë e jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar në New York, pasi këtë ditë një nga rrugët e qytetit do të marre emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Padyshim që përjetësimi i Skënderbeut në emërtimin e një rruge dhe shqiptimi i tij nga miliona banorë dhe vizitorë të New York-ut bën krenar jo vetëm shqiptarët në SHBA por shqiptarët në mbarë botën.
Edhe kjo iniciativë ka nga pas një emër shumë të njohur për komunitetin në New York, z. Mark Gjonaj, i cili pak muaj më parë finalizoi një tjetër iniciativë emërtimin e rrugës “Fan Noli”.
“Duke pritur me padurim ceremoninë e Bashkëemërtimit të Rrugës të dielën, më 15 maj për nder të Gjergj Kastrioti Skenderbeut, një Hero Shqiptar ndërsa ne festojmë traditat, kulturën dhe Komunitetin Shqiptaro-Amerikan”, shkruan Gjonaj në ‘Facebook’.
Kjo e dielë në New York do te jetë plotësisht shqiptare. Sipas organizatoreve pas ceremonisë së emërtimit të rrugës që do të fillojë në orën 12:00 (ora lokale) për gjatë gjithë ditës do të ketë një sërë aktivitete të tjera. Si panair kulinar dhe aktivitete që promovojnë kulturën dhe traditën shqiptare. / KultPlus.com