11 Qershor, 2020 - 9:31 am
“Të gjitha projektet në agroturizëm të jenë projekte 100% pa taksa”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se “të gjithë ata që krijojnë punë, të jenë njerëzit më të favorizuar në Shqipëri, që krijojnë punë për vete dhe familjet e tyre. Të gjithë ata emigrantë që kanë kursime ta shikojnë Shqipërinë si një oportunitet për të ardhur për të hapur një biznes të vogël, për të jetuar ata dhe familja e tyre me të ardhura më mirë sesa nga rropatja në emigracion në punë sfilitëse, siç bëjnë një pjesë e mirë e tyre”.
“Të gjitha projektet në agroturizëm të jenë projekte 100% pa taksa”, deklaroi Rama duke shtuar se “faktikisht nuk diskutoj tarifat vendore, pastrimin dhe as sigurimet shoqërore që nuk diskutohet, por të jenë pa taksa”.
“Të vijnë dhe të bëjnë atë që kanë filluar të bëjnë shumë emigrantë, të marrin shtëpinë e gjyshit apo stërgjyshit në fshat dhe aty ku duket e pamundur që të jetohet dhe të nxjerrin të ardhura, të nxjerrin të ardhura më shumë sesa atje ku janë në Gjermani apo Itali, me atë shtëpinë e stërgjyshit duke krijuar agroturizëm. Kjo nuk është më një ëndërr me sy hapur si ajo që unë shihja kur e lancuam projektin, por kjo është një ëndërr e realizuar e një numri të vogël, por të mjaftueshëm emigrantësh, që e kanë bërë dhe po e gëzojnë”, u shpreh Rama.
“Vërtetë të jesh në një fshat në Kuç ku ishim ne është e vështirë të imagjinosh se ti mund të prodhosh, edhe prodhimin tënd ta nxjerrësh në treg. Është e vështirë për të gjitha arsyet e terrenit, infrastrukturës etj., etj., por je në mes të një parajse ku ti mjafton të bësh pikën ku të tjerët të vijnë te ty. Nuk je ti që shkon në treg, është tregu që vjen te ty, janë turistët që vijnë tek ty, familjarët vendas që vijën te ty, falë bukurisë traditës dhe gjithçkaje që ti ofron”, theksoi më tej Kryeministri Rama. /atsh/ KultPlus.com