‘Të martohesh dhe të themelosh një familje është shkalla e fundit që mund të presë një burrë’

29 Gusht, 2024 - 11:00 am

Franz Kafka, shkrimtari i madh i shekullit të kaluar, i lindur në Pragë por një novelist më shumë i dashuruar në të shkruarit në gjuhën gjermane, në letrën kushtuar babait ka hapur zemrën e tij.

Kafka ka pasur një raport të tmerrshëm me babanë e tij, dhe kjo sipas kësaj letre për fajin e këtij të fundit, pasi ai nuk ka dashur asgjë dhe aski që Kafka ka pëlqyer a ka treguar interesim, gjatë jetës së tij.

Në letrën që është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Kafka në një pjesë flet për krijimin e familjes. Kafka gjithmonë dëshironte të martohej më vonë ndërsa disa tentime i dolën të dështuara.

“Të martohesh, të themelosh një familje, ti pranosh fëmijët e tu që të lindin, ti bësh të jetojnë në këtë botë të pasigurt dhe madje, nëse është e mundur, ti udhëzosh ndopak, kjo është jam i sigurt për këtë, shkalla e fundit që mund të presë një burrë. Fakti që shumë njerëz ia arrijnë kësaj aq lehtë në dukje, nuk është një provë e së kundërtës, sepse së pari, nuk ka aq shumë që ia arrijnë vërtet, dhe së dyti, ky numër i vogël nuk ‘bën’ në përgjithësi asgjë, por ‘pëson’ diçka: vetëkuptohet se nuk është këtu kjo shkalla e fundit për të cilën po flas, por kjo mbetet shumë e madhe dhe e respektueshme (aq më tepër që nuk është e mundur të shquhet qartë ndërmjet të bësh dhe të pësosh). Dhe së fundmi nuk bëhet fjalë madje për këtë shkallë të fundit, bëhet fjalë vetëm për një përafrim të largët, por të ndershëm, nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të Diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku Dielli të shndrisë nga njëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak”.

Kjo është vetëm një pjesë nga libri i Shtëpisë Botuese Pema, përkthyer nga Urim Nerguti, për librin “Brief an den Vater” të Kafkës ku tregohen edhe situatat më komplekse e agresive mbi raportin mes Kafkës dhe babait të tij, një Kafkë më ndryshe se Franzi të cilin e shijon dhe lexon mbarë universi, shkruan KultPlus.

Kafka flet më shumë për martesën, për familjen, dhe jo vetëm, brenda letrës. Kafka vdiq në vitin 1924 në moshën 40-të vjeçare, nga tuberkulozi. / KultPlus.com

Të ngjajshme