Të premtën hapet ekspozita “Mënyrë e Vjetër – Perspektiva të Reja” e artistit Hekuran Sokoli

9 Prill, 2025 - 7:34 pm

Të premtën, me datë 11 prill, duke filluar nga ora 19:00, do të bëhet hapja e ekspozitës “Mënyrë e Vjetër – Perspektiva të Reja” në Galerinë e Fakultetit të Arteve, që është ekspozitë personale e artistit Hekuran Sokoli, kuratore e të cilës është profesoresha e artit, Zake Prelvukaj.

Kritika e Kuratores:

Kontradiktat Fugale të Kohës

Shpesh e kërkojmë veten në ambiente të ndryshme, duke u përpjekur të ndjehemi të lirë në kuptimin e jetesës. Megjithatë, ky tranzicion marramendës teknologjik na sjell një ndjeshmëri të re ndaj botës që na rrethon—duke na ofruar mundësi për krijimin konceptual të artistit.

Hekuran Sokoli, përmes ngjyrave intensive dhe vizatimit fugal, krijon një hapësirë të re, ku guximshëm luan me vija, duke u dhënë rolin e mbrojtësit kolorit. Në këto piktura ka filozofi dhe matematikë pa barazim, duke i lënë shikuesit mundësinë për të zbërthyer ekzistencën ose inekzistencën përmes numrave kubik të ndërlidhur e të shthurur. Ngjyrat janë shpirtërore, të shkrira dhe të ndjeshme. Në momente të caktuara, ato bëhen muzikë, film, këngë, instrument—një prezantim artistik për t’u lexuar sipas perceptimit të publikut.

Artisti kërkon diçka futuriste, ku imagjinata i takon vetëm atij, i cili e sjell më pranë nesh. Konceptet e tij janë tërheqëse—ato nuk lexohen përmes shkronjave, por përmes objekteve miniaturale dhe masive, të cilat ngjallin disponim dhe kureshtje, duke na ftuar të kuptojmë, apo jo, gjuhën vizuale të formuar nga katrorë dhe kube. Kjo të shtyn të mendosh: Cilit nga këto objekte i përkasim ne?

Ekzistente është kur e ndjenë edhe e plason një vepër artistike pa e kërkuar lejen e inteligjencës artificiale. Artisti e zbërthen imagjinatën dhe krijon duke përcjellë mesazhe intriguese për kuptimin ose moskuptimin e këtij alfabeti abstrakt—si një udhërrëfyes i së ardhmes./KultPlus.com

Të ngjajshme