11 Mars, 2025 - 2:45 pm
Të premtën, me datë 14 mars duke filluar nga ora 20:00, në teatrin Oda do të jepet premiera e video performancës “Krenaria Ka Shumë Ngjyra” nga Arlinda Morina – Liki dhe Uresa Ahmeti.
Kjo video-performancë zhytet thellë në ngjyrat e flamurit të krenarisë, duke i zbërthyer ato në përjetimet e një komuniteti që jeton mes shtypjes dhe rezistencës. Secila ngjyrë e flamurit – nga e kuqja e jetës deri te e vjollca e rilindjes – merr formë përmes 6 poezive dhe 6 performancave trupore dhe vizuele që shqyrtojnë një gamë të gjerë emocionesh, nga dashuria dhe solidariteti deri tek frika dhe dhuna.
Ky projekt, i financuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka për qëllim jo vetëm të edukojë dhe sensibilizojë publikun për të drejtat e njeriut, por gjithashtu të njohë rezistencën shumëngjyrëshe LGBTQI+ dhe të fuqizojë e frymëzojë individët queer të jetojnë me liri dhe krenari./KultPlus.com