4 Shkurt, 2025 - 3:38 pm
Projekti shkollor “Arbëreshët” mblodhi sot në mjediset e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve (QSPA), nxënësit e gjimnazit publik “Luan Hajdaraga”, për të trajtuar tema të ndryshme mbi arbëreshët.
Nxënësit, të shoqëruar nga mësuesja e tyre e italishtes Mirela Pasha u pritën nga drejtoresha e QSPA, prof. Diana Kastrati si dhe stafi i qendrës.
Të ndarë në grupe nxënësit trajtuan tema të ndryshme me në qendër arbëreshët e Italisë dhe trashëgiminë e tyre kulturore. Secili prej të rinjve prezantoi temën përkatëse brenda projektit dhe drejtuan pyetje që lidheshin me të: Sa ka ndikuar organizimi gjeografik i arbëreshëve në mbijetesën e këtyre komuniteteve? Si paraqiten pabarazitë në zhvillimin e këtyre komunave? Si ruhen dhe transmetohen ndër breza ritet dhe muzika e arbëreshëve? Çfarë mund të bëjë më shumë shteti shqiptar dhe vetë të rinjtë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe?
Vetë nxënësit shprehën shqetësimin e orëve të reduktuara në kurrikulën shkollore të letërsisë dhe mungesës së autorëve arbëreshë në kurrikulat e arsimit të mesëm në sistemin arsimor shqiptar.
Prof. Diana Kastrati theksoi rëndësinë e njohjes së arbëreshëve nga të rinjtë, ekspedita dhe bashkëpunimet dypalëshe të nxënësve shqiptarë dhe atyre arbëreshë, integrimit të teksteve dhe autorëve arbëreshë në kurrikulën shkollore të këtij cikli, si dhe i ftoi të rinjtë të vizitojnë sërish ambientet e qendrës në të ardhmen dhe të shfletojnë librat dhe literaturën mbi arbëreshët në ambientet e qendrës./atsh/KultPlus.com