16 Janar, 2020 - 9:58 pm
Aksioni ”72 orë” është projekti më i madh vullnetar i të rinjve në Zvicër dhe zhvillohet një herë në pesë vjet. Ideja është e thjeshtë: brenda 72 orësh, grupet e të rinjve në të gjithë vendin realizojnë projektet e tyre bamirëse dhe inovative, transmeton KultPlus.
Janë rreth 20 mijë të rinj në të gjithë Zvicrën që angazhohen në këtë aksion, për “ta bërë botën më të mirë të paktën për 72 orë”, siç theksohet në moton e tij.
“Pfadi Buchenberg AachThurLand ” (një organizatë e vëzhguesve ose e “skautve”) nga Thurgau ka vendosur që në këtë kuadër të realizojë një projekt të veçantë. Ky klub i të rinjve planifikon të organizojë një festival duke përfshirë aty edhe stendat e shitjes. Kështu, të rinjtë do të punojnë dy ditë dhe të ardhurat e grumbulluara do t`i dhurojnë për viktimat e tërmetit në Shqipëri.
Organizata tjera, në vende tjera të Zvicrës kanë në plan aktivitete tjera, shumica e tyre në lidhje me mbrojtjen e ambientit.
Projektet e fushatës “72 orë” janë frymëzuar nga 17 synimet e Axhendës së vitit 2030 në nivel botëror, transmeton albinfo.ch. Këto synime janë pjesë e një plani strategjik global në të cilin janë përfshirë pothuajse të gjitha vendet në botë. Fushata fillon ditën e enjte në ora 6 pasdite dhe nga atëherë zgjat 72 orë. /albinfo/ KultPlus.com