28 Nëntor, 2020 - 11:44 pm
Në ngritjen e Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ishte i pranishëm edhe Komitetit Italo-Shqiptar, Arbëreshët. Mëvetësimi i Shqipërisë është pritur gjatë prej arbëreshëve, të cilët e kanë mbështetur në të gjitha format e mundshme këtë proces. Në foton e mëposhtme të publikuar para nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, dokumentohet prania e tyre fizike në këtë datë të shënuar.
Janë 9 personalitete arbëreshe që morën pjesë në Shpalljen e Pavarësisë, të rreshtuar në foto sipas këtij rendi: (më këmbë, nga e majta) Luigi Chimisso, Salvatore Stratico, Attilio Belluscio, Pierino Maurea, (ulur, nga e majta) Gerardo Conforti, Culielmo Ciarla, Francesco Mauro, Francesco Chinigo, Pasquale Dorsa.
Fotoja e botuar në faqen zyrtare të DPA, shoqërohet edhe me një shënim, ku të gjithë arbëreshët e cituar më sipër cilësohen si Komiteti Italo-Shqiptar: “Pas vdekjes së Gjerk Kastriotit-Skënderbeut, shumë prej arbërorëve u larguan për në Italinë e Jugut, për të mbrojtur veten, familjen dhe traditat. Pas lanë shpirtin dhe pasurinë, por nuk harruan atdheun. Më 28 nëntor 1912, kur në Vlorë shpallej mëvetësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, një grup italo-arbëresh marrin pjesë në ngritjen e flamurit”./ KultPlus.com