15 Qershor, 2023 - 11:56 pm
Eventet turistike të Shqipërisë, TEA, quhet aplikacioni më i ri që do të hidhet në treg pas dy ditësh nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku publikoi edhe videon promovuese të këtij aplikacioni.
“Inovacioni më i ri i qeverisë shqiptare, këtë herë përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit”, tha Rama.
Aplikacioni TEA do të jetë i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion mund të gjenden aktivitetet që do të ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Për këtë aplikacion është bashkëpunuar me të gjitha bashkitë, organizatat dhe ambasadat. Në të gjitha qytetet e vendit ka një program shumë të mirë nga institucionet e kulturës siç është Cirku, Teatri i Kukullave, TKOB, Teatri Kombëtar, evente gjithashtu të organizuara në mënyrë të dedikuar nga Ministria e Turizmit në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Këto aktivitete do të shtrihen gjatë gjithë sezonit për të gjitha grupmoshat dhe do të jenë me data, vendndodhje dhe tipologji./atsh/KultPlus.com