31 Maj, 2024 - 8:20 pm
TEA (Tourism Events of Albania), aplikacioni i parë i krijuar në Shqipëri, si kalendar dixhital për aktivitetet e turizmit kulturor, sporteve dhe të traditës, surprizon më një kolazh aktivitetesh në të gjithë Shqipërinë fëmijët me rastin e 1 Qershorit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa nga aktivitetet që do të mbahen në këtë ditë feste për fëmijët.
“TEA surprizon me këtë kolazh aktivitetesh në të gjithë Shqipërinë kushtuar gëzimit, pafajësisë dhe energjisë së të ardhmes, fëmijëve. Mos harroni të na ndiqni në aplikacionin udhërrëfyes TEA për më shumë përditësime, detaje dhe surpriza ndërkohë që 1 Qershori afron. Përhapni fjalën, përhapni gëzimin TEA gjithmonë me ju, për ju”, u shpreh kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.
Në aplikacionin TEA pasqyrohen aktivitetet e kategorive të ndryshme si Art Fest, trashëgimi kulturore, festivale muzikore, sport, koncerte, folklor, festa lokale, arte pamore, agroturizëm e kulinari dhe teatër.
Janë mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1.110 aktivitete nga më të ndryshmet dhe TEA do të sjellë informacionin për çdo event, për çdo preference e grupmoshë, në shqip e në anglisht./atsh/KultPlus.com