15 Prill, 2024 - 4:28 pm
Finiqi antik ka patur një numër të konsiderueshëm ndërtimesh publike në funksion të jetës politike, administrative dhe kulturore të qytetit, duke qenë se ishte qendra më e rëndësishme e Kaonisë. Një ndër këto ndërtime publike ishte edhe teatri antik.
DRTK Vlorë në faqen e saj online, shkruan se teatri është ndërtuar në pjesën veriore të agorasë (zona publike), ku faqja e kodrës krijon një kon natyror për vendosjen e shkallares. Ai është ndërtuar në shekullin III para Krishtit dhe është restauruar në fillimet e periudhës Romake, duke vijuar të jetë në përdorim deri në shekullin III pas Krishtit.
Gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë dhe në Mesjetë, elemente të ndryshme të monumentit janë marrë dhe ripërdorur si materiale ndërtimi. Kjo është edhe arsyeja që sot ruhen shumë pak elemente nga arkitektura e tij.
Për sa i përket stilit të ndërtimit, ai përbën një tip përfaqësues të teatrit iliro-epirot, që e gjejmë edhe në Bylis, Butrint dhe Dodonë. Teatri i Finiqit së bashku me teatrin e Dodonës, për nga kapaciteti mbajtës i numrit të spektatorëve, kanë qenë më të mëdhenjtë në rajon.
Rrënojat e këtij monumenti të rëndësishëm, janë një arsye e mjaftueshme për të vizituar Parkun Arkeologjik të Finiqit./atsh/KultPlus.com