‘Teatri Ilegal’ – dokumentari i rezistencës në Kosovën e viteve ‘90

29 Janar, 2025 - 4:47 pm

Të premten me 31 janar në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shfaqet dokumentari “Teatri Ilegal” nga regjisori, Sovran Nrecaj.

Vitet e ‘90-ta janë qartazi një periudhë kritike për Kosovën. Autonomia e saj ishte suprimuar në vitin 1989, si rrjedhojë shqiptarët e Kosovës e gjetën veten të përjashtuar nga hapësira dhe jeta publike e vendit të tyre. Në një përpjekje për të rezistuar, duke imituar normalitetin në një kohë tejet jo normale, arsimi, shëndetësia dhe kultura tanimë u akomoduan nëpër hapësira private duke krijuar kështu një sistem të jetesës publike tërësisht paralele. Ashtu si shumë institucione të tjera edhe dyert e teatrit të Ferizajt, të cilat ishin hapur disa dekada më herët, u mbyllën për artistët, punëtorët dhe publikun shqiptar të Kosovës. Por teatri vazhdoi të bëhej.

Mbyllja e dyerve të ndërtesës së teatrit u përcoll me hapjen e zemrave e dyerve të njerëzve të Ferizajt.

Ky rrëfim i aktorëve Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi e Arben Marevci është rrëfim i rezistencës, besimit, shpresës dhe reflektimit mbi rolin e të bërit art me çdo kusht.

Të ngjajshme