16 Tetor, 2020 - 4:29 pm
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Kulturës për vitin 2019.
Sipas njoftimit për opinionin, ky publikim ofron të dhëna statistikore lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filarmonisë, ansamblit dhe qendrës kulturore për fëmijë.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se në Teatrin Kombëtar në Prishtinë pati 118 shfaqje teatrale dhe repriza, ndërsa kishte 14. 548 shikues; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ishte 132 shfaqje teatrale dhe reprizë, me 12 673 shikues; në Teatrin “Oda” u realizuan 44 shfaqje teatrale dhe reprizë, me 15 013 shikues.
Në galeritë e arteve janë realizuar 28 ekspozita me 24 720 vizitorë.
Në kinemanë “ABC” janë shfaqur 52 filma, të gjithë të huaj, me një numër shikuesish prej 7 201; në kinemanë “Cineplexx” janë shfaqur 122 filma, prej tyre 8 filma vendorë dhe 114 filma të huaj, dhe numri i shikuesve ishte 382 445; në kinemanë “Doku-Kino dhe DokuFest” janë shfaqur 352 filma, prej tyre 30 filma vendorë dhe 322 të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 39 000; në kinemanë “Jusuf Gërvalla” janë shfaqur 128 filma, prej tyre 10 filma vendorë dhe 118 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 10 069.
Ndërkaq, përsa i përket fondit të librave në biblioteka, rezulton se janë 1 692 552 libra nëpër bilbioteka, kurse numri i lexuesve ishte 83 942.
Numri i muzeve dhe shtëpive muze ishte 79, ndërsa numri i vizitorëve ishte 99 630. / KultPlus.com