Teatri Kombëtar, thirrje artistëve për projekte bazuar mbi veprat e Shekspirit

17 Mars, 2025 - 3:02 pm

Teatri Kombëtar shpalli thirrjen publike për projekte artistike të bazuara në veprat e Shekspirit, duke ftuar të gjithë krijuesit, regjisorët dhe artistët të paraqesin propozimet e tyre.

Përzgjedhja e projekteve artistike do të kalojë në dy faza. Në fazën e parë Teatri Kombëtar do të shqyrtojë propozimet në bazë të konceptit dhe vizionit artistik, ndërsa në fazën e dytë do të bëhet vlerësimi i aspektit financiar dhe llogaritja e fondit limit. Pas miratimit të propozimeve artistike në fazën I, projektet do të rishikohen dhe do të vlerësohen duke përllogaritur kostot dhe fondin limit.

Përveç të tjerash, aplikantët do të duhet të dorëzojnë një përmbledhje të qartë të veprës së Shekspirit që mendojnë të realizojnë. Një pikë me rëndësi është platforma regjisoriale ku do të bëhet një përmbledhje e detajuar mbi konceptin regjisorial për projektin, duke përfshirë përfytyrimin artistik për kostumet dhe skenografinë. Në përmbajtje të platformës duhet të përfshihet vizioni dhe ideja mbi veprën, qëllimi i vënies në skenë dhe rëndësia që do të ketë ajo për publikun.

Afati i aplikimeve do të jetë prej sot (17 mars) e deri më datën 11 prill 2025./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme