13 Shkurt, 2025 - 12:33 pm
Në Itali po zhvillohet edicioni i 75-të i Festivalit të Muzikës “Sanremo 2025”, një konkurs kënge televiziv, me shikueshmëri të lartë, që çdo vit mbahet në Teatrin “Ariston”.
Mes 29 këngëtarëve që garojnë këtë vit, për luanin e artë të Sanremos, është edhe Dario Brunori, i cili në këtë garë ka marrë gjithë mbështetjen e katundeve arbëreshe.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëri të ditur se, katundet arbëreshe do të mbështesin kantautorin nga Kozenca, në Festivalin e Sanremos. Kjo mbështetje e tyre vjen pas dhuratës së bukur, që kantautori Brunori u bëri arbëreshëve të Italisë verën e kaluar, në Notte della Taranta live në RAI Uno, duke interpretuar një prej këngëve që identifikojnë arbëreshët, “Lule lule”.
Shoqatat arbëreshe thonë se, motivacioni vjen prej dëshirës dhe interesit për të dërguar në skenën e këtij festivali, një copëz nga historia dhe tradita arbëreshe e Kalabrisë.
Ndërkohë Accademia della Crusca ka vlerësuar maksimalisht tekstin e këngës së Dario Brunorit, i paraqitur në Sanremo me “L’Albero delle noci” (Pema e arrave). Për këtë akademi e njohur si “La Crusca” teksti i Brunorit është më i miri.
“Ndërsa shumica e këngëve humbasin në struktura të përsëritura që nuk kanë origjinalitet, shumë pak artistë dalin me një gjuhë të rafinuar dhe autentike. Kantautori kalabrez dominon me tekste të rafinuara dhe poetike. Niveli i shkrimit, intensiteti i imazheve, thellësia e mesazhit: jemi përballë një kryevepre të vërtetë”, citohet Accademia della Crusca, prej shtypit italian.
Kjo akademi është një shoqëri me bazë në Firence e studiuesve të gjuhësisë dhe filologjisë italiane. Është një nga institucionet më të rëndësishme kërkimore të gjuhës italiane, si dhe akademia më e vjetër gjuhësore në botë./atsh/KultPlus.com