26 Maj, 2023 - 3:28 pm
Performanca në skenën e përshtatur në arenën “Mercedes Benz” javën e kaluar në Berlin do t’i kushtojë shtrenjtë basistit të grupit legjendar ‘Pink Floyd’.
Policia gjermane ka nisur një hetim për Roger Waters, duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes pasi gjatë performancës ai kishte zgjedhur të vishej si nazist.
79-vjeçari kishte veshur një pallto të gjatë, të zezë, të zbukuruar me shirita të kuq dhe shenja metalike në jakën e tij që të kujtonte një oficer SS, njësia që realizoi gjenocidin me 6 milionë hebrenj të vrarë gjatë Holokaustit.
Gjatë performancës, pankarta të stilit të Rajhut të Tretë u varën gjithashtu nga skena, ndërsa një derr i fryrë i zbukuruar me Yllin e Davidit qëndroi pezull mbi audiencën.
Dhe tani, policia e Berlinit ka thënë se po hetojnë waters për zgjedhjen e veshjes së tij pasi “mund të përdoret për të lavdëruar sundimin nazist“.
“Ne po hetojmë mbi dyshimin për nxitje të urrejtjes publike, sepse veshja në skenë mund të përdoret për të lavdëruar ose justifikuar sundimin nazist, duke prishur kështu paqen publike“, tha zëdhënësi i policisë Martin Halweg.
Waters është një aktivist i njohur pro-palestinez, i cili është akuzuar se ka pikëpamje anti-hebreje. Në koncertet e tij javët e fundit, si pjesë e turneut të tij ‘This is Not a Drill’, ai ka përdorur derrin e fryrë të zbukuruar me Yllin e Davidit.
Gjatë koncertit javën e kaluar, një ekran pas Waters shfaqi emrat e Anne Frank dhe Abu Akleh, një gazetare e Al Jazeera që u qëllua për vdekje vitin e kaluar teksa raportonte për një sulm të Forcave të Mbrojtjes izraelite në një kamp refugjatësh palestinezë.
Ndërkohë, shoqata rabinike hebreje-ortodokse e Gjermanisë ka bërë thirrje për ndalimin e Waters-it të performojë në Gjermani, por rokeri vazhdon të mohojë se ai është antisemitik dhe se flet vetëm kundër politikës izraelite. / a2cnn / KultPlus.com