Televizioni spanjoll me reportazh për Kosovën, shkak një qytetar nga Klina

8 Prill, 2021 - 4:34 pm

Televizioni spanjoll “Telemundo 39” i ka kushtuar një kronikë televizive Kosovës, kjo falë një qytetari nga komuna e Klinës, Luan Jagoda i cili ka mësuar të flas spanjollisht dhe është një shikues i rregullt i këtij televizioni.

“Kjo storie që do të transmetojmë është e vështirë për tu besuar por është e vërtetë, bëhet fjalë për një shikues fanatik të Telemundo 39 dhe serialeve tona i cili jeton në anën tjetër të botës. Luani jeton në Kosovë, historia e tij është e mahnitshme” përshkruan prezantuesja tregimin e Luanit, transmeton KultPlus.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Luan Jagoda përmes një postimi në Facebook, i cili u shpreh i lumtur për këtë gjë.

“Nuk kam fjalë me përshkru çfarë ndjenje është kur që nga viti 1997 kur fillova të mësoj gjuhën spanjolle kurr nuk më kish marrë mendja se një ditë një televizion do të më dedikoj kohë e të më falënderoj për përkushtimin tim dhe dashninë që kam për Amerikën Latine, por kjo është Telemundo 39”, ka shkruar Jagoda në Facebook.

Ndryshe ditë më parë është zhvilluar edhe ndeshja futbollistike Kosovë-Spanjë. Kujtojmë se Spanja ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme