12 Janar, 2023 - 1:01 pm
Ngrohja e oqeaneve theu një rekord të ri në vitin 2022, me temperaturat që u rritën për të shtatën vit radhazi dhe Mesdheu si pellgu me ngrohjen më të shpejtë.
”Studiuesit parashikojnë një klimë gjithnjë e më ekstreme në të ardhmen”, thotë një studim i botuar në revistën ”Advances in Atmospheric Science” dhe i udhëhequr nga Akademia Kineze e Shkencave.
Shqetësimi kryesor nuk është vetëm me jetën detare dhe ekosistemet, por edhe me njerëzit dhe ekosistemet tokësore, pasi oqeanet thithin pjesën më të madhe të ngrohjes së shkaktuar nga aktivitetet njerëzore.
Studiuesit e udhëhequr nga Lijing Cheng analizuan të dhënat, të mbledhura nga viti 1950 deri në ditët e sotme.
Në veçanti, përmbajtja e nxehtësisë së oqeanit në 2 000 metrat e parë të thellësisë u rrit me rreth 10 Zetta xhaul krahasuar me një vit më parë, thënë ndryshe një xhaul (njësi matëse e nxehtësisë) e ndjekur nga 21 zero.
Për të dhënë një ide mbi vlerën e madhe, 10 Zetta xhaul nxehtësi mund të mbajnë 700 milionë kazanë me 1,5 litra, të zier për një vit të tërë.
Kjo konfirmon rritjen e vazhdueshme të temperaturës së oqeaneve, e kombinuar me nivele gjithnjë e më të larta të kripësisë dhe një ndarje më të madhe të ujit në shtresa, të cilat mund të reduktojnë ose eliminojnë përzierjen midis sipërfaqes dhe zonave më të thella.
Midis shumë pasojave, këta faktorë ndryshojnë mënyrën se si nxehtësia, karboni dhe oksigjeni shkëmbehen midis oqeanit dhe atmosferës.
Kjo, nga ana tjetër, ndikon në biodiversitetin dhe lëvizjen e llojeve të peshqve, me efekt kaskadë në komunitetet e varura nga peshkimi./ atsh /KultPlus.com