10 Shtator, 2023 - 9:30 am
Të paktën 2,012 njerëz humbën jetën dhe 2,059 pësuan lëndime si rrjedhojë e tërmetit që goditi Marokun të premten mbrëma, sipas shifrave të fundit të publikuara nga ministria e brendshme e vendit.
Të paktën 1,404 nga të lënduarit nga tërmeti janë në gjendje kritike.
Pas këtij tërmeti, disa politikanë përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani janë solidarizuar me popullin maroken.
Osmani iu ka uruar forcë e shërim të gjithë të prekurve nga tërmeti shkatërrues në Marok.
“Populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Marokut në këtë kohë tragjike”, shkroi Osmani.
Tërmeti i së premtes kishte një shkallë prej 6.8 derisa u përcoll edhe me një pas goditje me shkallë 4.9 rreth 19 minuta më vonë.
Epiqendra e tërmetit vdekjeprurës në Marok ishte zona e Ighilit, një qark rural malor, shtëpi e fshatrave të vogla bujqësore në provincën al-Haouz pranë vendpushimit të skive të Oukaimeden në Malet Atlas.
Tërmeti i fundit i madh në vend kishte ndodhur në qytetin verilindor të Al Hoceima-s në vitin 2004, duke vrarë të paktën 628 njerëz.
Dhe më vdekjeprurësi ishte në Agadir në bregun jugor të Atlantikut, në vitin 1960. Tërmeti me magnitudë 6.7 mbyti rreth 12,000./ KultPlus.com