’Terminal’ premierë nga BKK, relacionet e situatat njerëzore nëpërmjet metaforës së aeroportit

16 Nëntor, 2024 - 12:00 am

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në hapësirën e Qendrës së Kulturës në Obiliq, Baleti Kombëtar i Kosovës dha premierën e shfaqjes ‘Terminal’ me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Romane Petit, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga emri, “Terminal” vendosi publikun në një sallë simbolike nisjeje, ku çdo element i skenës dhe koreografisë funksionoi si metaforë e udhëtimit të brendshëm të njeriut. Mes ndriçimit dhe tingujve që plotësonin atmosferën, publiku u ftua të reflektojë mbi arsyet dhe qëllimet e udhëtimeve mendore dhe emocionale të ilustruar nëpërmjet një skene që i ngjan aeroportit.

Shfaqja trajtoi procedurat e sigurisë, të cilat shërbejnë si barriera jo vetëm në aeroportet reale, por edhe brenda vetë mendjes sonë. Përmes lëvizjeve të fuqishme dhe të sinkronizuara të trupës së baletit, “Terminal” eksploroi tensionin mes pritjes së ankthshme dhe shpresës së re që çdo udhëtim sjell.

E pranishme në këtë premierë, koreografja Romane Petit, u shpreh se kjo shfaqje ka për qëllim që nëpërmjet lëvizjeve ka për qëllim që të shpjegojë relacionet e njerëze dhe zgjidhjet e tyre në jetë.

“Ne kemi dashur që ta shfaqim një situatë që ndodhë në aeroport, një shfaqje që flet për tranzicionet që ndodhin në jetë, se si edhe pse ne mendojmë ndonjëherë që jemi duke qëndruar në një vend, në fakt ne lëvizim, prandaj flasim shumë për lëvizjet e njeriut në vazhdimësi, po ashtu flet edhe për migrimet që ne duhet të bëjmë të detyruar nga jeta apo nga vendimet që ne marrim, ose në rastet kur nuk kemi zgjidhje, dhe duhet të lëvizim. Shfaqja flet për të gjitha këto dhe për relacionet në mes të njerëzve”, tha koreografja Petit për KultPlus, duke shfaqur konceptin e ‘Terminal’.

Pas shfaqjes, për KultPlus foli drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili fillimisht foli për skenën në të cilën në këtë mbrëmje dha premierën shfaqja ‘Terminal’
“Qendra e Kulturës në Obiliq është një hapësirë komode, shumë e mirë, është një ndërtesë e re ku praktikisht disa shfaqje të repertorit tonë mundemi lirisht t’i shfaqim në këtë qendër të kulturës, për këtë edhe dua ta falënderoj komunën e Obiliqit që na kanë mirëpritur në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Kajtazi, duke shtuar më tutje se i vetmi problem është distanca nga audienca e kryeqytetit.

“Koreografët ma kanë paraqitur si ide ‘Terminalin’, edhe si bashkëpunim nëpërmjet balerinit tonë dhe solistit Sead Vuniqi, i cili ka qenë edhe asistent i koreografëve të shfaqjes, si një projekt që fillon rrugëtimin këtu, për t’u shfaqur më pas edhe në Prishtinë. Po ashtu kjo shfaqje është e ftuar në tri festivale të ndryshme në fillim të vitit të ardhshëm”, tha ndër të tjerash Kajtazi.

Pas një paraqitje si balerin por edhe si asistent i koreografëve, për KultPlus foli edhe Sead Vuniqi, i cili e vlërësoi këtë bashkëpunim si dhe falënderoi Komunën e Obiliqit për mundësinë që këtë premierë ta jepin në qendrën e kulturës së këtij qyteti.

“Së pari dua ta falënderoj Komunën e Obiliqit të cilët na e kanë mundësuar që ta shfaqim ‘Terminalin’ si edhe mikpritja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e madhe sepse trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës po has në vështirësi për shkak të kushteve, mirëpo ne po mundohemi vazhdimisht që të gjejmë alternativa si kjo ose si diku tjetër që ta shfaqim planprogramin. Puna me koreografët ka qenë shumë e mirë, unë koreografët i njoh më herët për shkak të disa bashkëpunimeve që i kemi pasë jashtë vendit dhe për këtë edhe i kam paraqitur tek drejtori i BKK-së dhe është aprovuar që ta shfaqim këtë shfaqje sonte”, u shpreh Vuniqi duke shtuar me tutje se ngaqë e njohin njëri-tjetrin, bashkëpunimi ka qenë edhe më i lehtë.

Ndërkaq balerinët që luajnë në shaqjen ‘Terminal’ janë: Aulonë Nuhiu, Blerta Fanaj, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Isa Beg Gjocaj, Luljeta Ademi, Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi dhe Vlora Prizreni./KultPlus.com

Të ngjajshme