21 Tetor, 2020 - 3:37 pm
Tetori është Muaji Ndërkombëtar i Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, me ç’rast Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, çdo vit organizon një varg aktivitetesh me qellim të informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës për këtë sëmundje.
Sivjet, për shkak të situatës me Pandeminë Covid-19, këto aktivitete janë reduktua vetëm në takime më të kufizuara, takime virtuale dhe manifestime simbolike, në mënyrë që të mos ketë tubime dhe të mos rrezikohet shëndeti i grave.
“Ndër aktivitetet që po i zhvillojmë këto ditë, në vend të ECJES tradicionale, është edhe: Dekorimi me fjongo rozë i sheshit të kryeqytetit. Janë 90 drunjë në të cilët do të lidhet nga një fjongo e nënshkruar që do të na përkujtojë të kujdesemi më shumë për vete dhe për shëndetin tonë, me vetëkontrolla dhe kontrolla të rregullta mjekësore, në mënyrë që sëmundja të zbulohet sa me herët”, thuhet në njoftim.
Ky aktivitet, me moto: Zbulimi i hershëm – mbijetesë! do të mbahet të enjten, me 22 tetor, në ora 12:00. Takimi, për të marrë fjongot do të bëhet para Teatrit Kombëtar. / KultPlus.com