19 Tetor, 2020 - 11:56 am
‘The Economist’, një nga revistat më prestigjioze ndërkombëtare i ka kushtuar një artikull famës që yjet me origjinë etnike shqiptare po shijojnë kohët e fundit në botën e muzikës.
Deri vonë, shqiptarët etnikë më të shquar ishin Nënë Tereza dhe diktatori komunist Enver Hoxha. Tani këngëtarët duhet tu shtohen shenjtores dhe mëkatarit, shkruan revista britanike.
Ata janë kudo. Dua Lipa ka 55 milion dëgjues në platformën muzikore Spotify, Bebe Rexha ka 24 milion. Rita Ora ka pasur pesë hite në vendin e parë në Britani dhe ka qenë gjyqtare në emisionin ‘X Factor’. Era Istrefi këndoi në Kupën Botërore FIFA 2018. Njomza Vitia, një këngëtare dhe autore, dhe Labinot Gashi, një reper, kanë një audiencë globale.
Singli seksi i Ava Max (Amanda Ava Koci), “Sweet but psychopathic” konsiderohet në të gjithë botën më argëtuese sesa oferta letrare e Hoxhës: “Shqipëria sfidon revizionizmin e Hrushovit”.
Në vitin 2016, me një stil jashtëzakonisht serioz, Rita Ora performoi në Romë për të festuar shenjtërimin e Nënë Terezës.
Të gjithë këta mega-yje me origjinë shqiptare, përveç Era Istrefit, janë rritur në diasporë. Lipa, Max, Rexha dhe Vitia, kanë lindur në : Londër, Milwaukee, Brooklyn dhe Stuttgart. Vetëm zonja Max ka rrënjë në Shqipëri, të tjerët janë me origjinë kosovare, përveç Bebe Rexha, familja e së cilës vjen nga Maqedonia Veriore. Yjet e Diasporës shpesh janë krenarë për kombësinë e tyre. Ata interpretojnë në atdhe duke u mbështjellë me flamuj kosovarë ose shqiptarë.
“Zemra ime gjakos shqip”, tha Bebe Rexha gjatë një vizite në Shqipëri. Në korrik, Dua Lipa ndezi një debat pasi postoi një hartë që lidh nacionalistët ekstremist shqiptarë me Shqipërinë e Madhe.
Prindërit e tyre u rritën jashtë vendit pasi u larguan nga Ballkani në fillim të viteve 1990. Por nuk ishte gjithmonë një histori e pasurimit të të varfërve. Familjet Ora dhe Lipa ishin pjesë e elitës në Kosovë. Dy vajzat ndoqën një shkollë të njohur arti në Londër.
Yjet e muzikës pop, së bashku me një grup futbollistësh shqiptarë në ekipet kryesore të Evropës, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ndihmën për të ndryshuar imazhin e shqiptarëve, përfundon The Economist. / KultPlus.com