The Guardian raporton për tensionet në Veri, e quan kontravers vendimin për reciprocitet

2 Gusht, 2022 - 12:27 pm

Lidhur me zhvillimet e së dielës në veri të Kosovës, ka raportuar edhe gazeta britanike The Guardian. Në artikullin e saj, The  Guardian përmend deklaratat e kryeministrit Kurti se “orët, ditët dhe javët në vijim mund të jenë sfiduese dhe problematike”, ndërsa citon edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “do të luten për paqe, por nuk do të ketë dorëzim dhe Serbia do të fitojë”.

“Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në vitin 1999, pas një fushate bombardimi të NATO-s, dhe territori shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Megjithatë, Serbia ende e konsideron atë pjesë të Serbisë”, raporton The Guardian, transmeton Express.

Gazeta prestigjioze shkruan se “deri të përshkallëzimi i tensioneve erdhi për shkak të urdhërave administrativ të miratuara nga Prishtina, të cilat ishin në një linjë të përpjekjeve për të vënë kontrollin e saj të plotë në zonat me shumicë serbe”.

“Disa mijëra trupa të KFOR-it mbeten në terren në Kosovë për të ruajtur paqen, dhe paqeruajtësit italianë ishin të dukshëm në qytetin verior të Mitrovicës të dielën, kur sirenat e sulmit ajror ranë për disa orë në zonat në veri të banuara kryesisht nga serbët. Rreth gjysma e popullsisë serbe të vendit jeton afër kufirit me Serbinë, ku shumë serbë vetëm me ngurrim i janë nënshtruar ligjeve dhe autoriteteve kosovare”, shkruhet në artikull.

The Guardian nuk la pa përmendur edhe reagimin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, e cila tha se tensioni u krijua për shkak të “rregullave të pabaza diskriminuese” të vendosura nga autoritetet kosovare.

Ndërsa, britanikja shkruan se “Serbia dhe Rusia janë aleatë tradicionalë dhe Moska ka refuzuar të njohë pavarësinë e Kosovës. Që nga lufta në Ukrainë, Vuçiç është përpjekur të ruajë marrëdhënie të mira me Moskën, duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve anti-ruse, ndërsa këmbëngul se ai ende dëshiron që Serbia përfundimisht të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.

Qeveria u pajtua me një propozim që të shtyhet për një muaj zbatimi i masave të reja të reciprocitetit, për çka ka raportuar edhe The Guardian.

“Pas konsultimeve me ambasadorët perëndimorë të dielën në mbrëmje, qeveria e Kosovës ra dakord të shtyjë zbatimin e masave të reja me një muaj, me kusht që protestuesit të ndalojnë bllokimin e rrugëve. AFP raportoi se blloqet po hiqeshin të hënën. Beogradi dhe Prishtina ranë dakord të dy për dialogun e lehtësuar nga BE në 2011, por bisedimet kanë çuar në pak përparim”. / KultPlus.com

Të ngjajshme