28 Tetor, 2023 - 3:59 pm
Kur liderët politikë paraqesin luftën si zgjidhjen e vetme, u takon artistëve t’u kujtojnë njerëzve se gjetja e paqes është ende e mundur. Kjo është pika e fillimit për një kompani teatrore me bazë në Kosovë, Qendra Multimedia, shfaqja e re e së cilës kthehet në luftën e fundit në Evropë para pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe eksploron se si u ndalua.
Mësimi që nxjerr dhe zhanri që zgjedh për të paraqitur gjetjet e tij, është i papritur: shfaqja “Negotiating Peace” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj e tregon diplomacinë e paqes si një farsë, ndonëse të domosdoshme, raporton “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
Duke dramatizuar bisedimet e tryezave të rrumbullakëta midis vendeve imagjinare ndërluftuese të Banovisë dhe Unmikistanit, shfaqja është një komedi e furishme në të cilën gjeneralët e kotë mund të joshen në tryezën e bisedimeve vetëm nga premtimet për filma të Hollivudit që festojnë veprimet e tyre. Palët kundërshtare dehen ndërsa negociojnë zonat e çmilitarizuara, përziejnë draftet e marrëveshjeve të armëpushimit dhe nënshkruajnë në hapësirat e gabuara. Hartat e territoreve të diskutueshme janë të ndara me gërshërë letre derisa tokat e shenjta të kthehen në dushe konfeti.
E megjithatë, në fund të performancës 90-minutëshe, ish-armiqtë kryqëzojnë krahët për të kënduar “Peace in the Valley” të Elvis Presleyt dhe një personazh i Ratko Mlladiqit bëhet qullë teksa kupton se do të përfundojë përpara një gjykate për krimet e luftës.
“Kur flisni për gjëra serioze, nuk duhet të flisni për këtë në mënyrë serioze”, tha Orest Pastukh, një aktor ukrainas i cili është një nga pesë anëtarët e kastit shumëkombësh të Qendrës, me përvojë direkte me luftën në vendet e tyre. “Nëse do të flisnim seriozisht për luftën dhe paqen, të gjithë do të çmendeshin”.
Shfaqja, e cila do të shkojë në një turne evropian në Gjermani, Republikën Çeke, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë muajin e ardhshëm, bazohet gjerësisht në marrëveshjet e Dejtonit që në vitin 1995 i dha fund luftës trevjeçare e gjysmë të Bosnjës, kapitulli më vdekjeprurës në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Në premierën e tij në teatrin Oda të Prishtinës javën e kaluar, shfaqja gjithashtu përzjeu elementet e zgjidhjes së paqes që katër vjet më vonë i dha fund luftës në Kosovë, një konflikt që shpesh mbahet mend si “lufta e mirë” e fundit e perëndimit dhe një kundërflamacion i fatkeqësisë në Irak që pasoi menjëherë.
Për t’i dhënë fund atij konflikti mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës në provincën e shkëputur, NATO veproi më shpejt dhe më agresivisht se sa kishte vepruar në luftën e Bosnjës. Në qendër të Prishtinës, mirënjohja për udhëheqjen e fortë të ShBA-së në bisedimet e paqes është ende e dukshme. Aty ndodhet një statujë e Bill Clintonit duke përshëndetur me dorë, një bust i Madeleine Albright dhe një rrugë me emrin Richard Holbrooke, diplomati buldozer që drejtoi ekipin negociator përgjegjës për zgjidhjen e krizës ballkanike.
Prandaj, mund të duket e habitshme që në “Negotiatiing Peace”, siguritë morale vijnë të mbështjella me sarkazëm dhe jo me patos. Personazhi i tipit Holbrooke, Joe Robertson, i luajtur nga Harald Thompson Rosenstrom, një norvegjez, nuk është vetëm një “bishë paqeje”, por gjithashtu “Mazarin skizofrenik, brutal” që ndjen kënaqësi seksuale nga bisedimet e rënda të krizës. Në një skenë, ai përpëlitet në tryezën e rrumbullakët me pantallona të nxehta dhe një parzmore lëkure, duke u rrahur furishëm me një flamur të bardhë. Në fund, shfaqja shpërblen përpjekjet e tij jo me një statujë, por me “emojin e tij”.
“Kur lexova memoaret e Holbrooke ‘To End a War’, kuptova se tryeza e bisedimeve ishte gjithashtu një lloj skene”, tha Neziraj në prag të premierës së shfaqjes së tij. “Dhe një skenë dramatike në të cilën aktorët po vepronin në mënyrë mjaft të çuditshme”, ku përfshiheshin negociatorët që organizonin daljet dhe kufijtë e rinj politikë që vizatoheshin në peceta.
Ai tha se studimi i marrëveshjes së Dejtonit, si dhe i marrëveshjes së Oslos të nënshkruar midis Izraelit dhe Palestinës në vitin 1993, i kishte hequr atij iluzionin se bisedimet e paqes ishin biseda të strukturuara të udhëhequra nga ekspertë në fushat e tyre. “Ato janë fryt i vullneteve të individëve në një moment të caktuar”, tha Neziraj.
Në Kosovë, një shkallë cinizmi rreth diplomacisë së paqes ishte e pashmangshme, tha ai, veçanërisht pasi tensionet u ndezën përsëri muajin e kaluar pas një përplasjeje midis personave të armatosur dhe policisë kosovare në një manastir pranë kufirit me Serbinë. Gjatë provave, Thompson Rosenstrom pyeti nëse kishte plane evakuimi nëse Serbia do të pushtonte. Drejtoresha, Blerta Neziraj, partnerja e Jetonit, e siguroi atë se prania e trupave të NATO-s nënkupton se një pushtim rus i Norvegjisë është më i mundshëm.
“Lufta nuk mbaron kur ju ulni armët”, tha Neziraj. “Ne në Kosovë jetojmë në një shtet të përkohshëm, i cili nuk është në luftë por as në paqe të plotë. Është një atmosferë frike dhe pasigurie, sepse fatura e luftës e viteve ‘90 nuk është shlyer plotësisht”.
Neziraj është i vetëdijshëm për cinizmin e tij dhe “Negotiating Peace” përfundimisht arrin ta ekspozojë atë. Nga fundi i shfaqjes, samiti duket si një dështim: besimi në OKB është copëtuar, ka thirrje për një konferencë të dytë të organizuar nga BE. Kryenegociatori i bën thirrje audiencës për këshilla për të dalë nga ngërçi.
Ndërsa shfaqja bën turne nëpër Ballkan, kompania synon të ftojë dëshmitarë të ndryshëm të jetës reale në skenë. Në Prishtinë, kjo punë i ra Aida Cerkezit, një korrespondente veterane e Associated Press e cila mbuloi rrethimin e Sarajevës. Monologu i saj 10-minutësh ndryshon humorin e shfaqjes.
“I vetmi parakusht për paqen është që të gjithë të mblidhen rreth të njëjtës tryezë”, tha ajo. “Dhe për t’i mbledhur të gjithë në të njëjtën tryezë, duhet të dobësoni ushtarakisht anën dominuese. Për sa kohë që njëra palë mund të mendojë se mund të fitojë, nuk ka asnjë arsye për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Në Bosnje, ky kusht u plotësua nga bombardimet e NATO-s”.
Cerkez hodhi poshtë idenë e përfundimit të luftës në Bosnje si një plan për t’i dhënë fund konflikteve të tjera, por tha se megjithatë kishte mësime. “Paqja nuk është mungesa e konfliktit të armatosur”, tha ajo. “Në Bosnje po jetojmë mungesën e konfliktit të armatosur, jo paqes. Por kjo nuk është asgjë. Është shumë”.
Teksa kasti festoi natën e parë me raki në lokalin e teatrit, aktori ukrainas Pastukh reflektoi mbi situatën në vendin e tij. “Kjo shfaqje më bëri të kuptoj se çdo luftë duhet të ketë një finale, por nuk e di se si do të funksiononte kjo në Ukrainë”, tha ai. “Serbia shpëtoi lehtë, dhe si rezultat disa nga të njëjtat probleme tani po ngrenë kokën. Pas luftës sonë, a do të kemi një Kosovë tjetër, apo një Nuremberg?”
A e kishte bërë atë më pesimist apo më shpresëdhënës për vendin e tij, pjesëmarrja në shfaqje? “Kjo është një pyetje interesante”, tha Pastukh. “Mendoj se jam bërë më realist. Sa herë që ka një zgjidhje paqeje në Ukrainë, ajo do të jetë një zonë gri. Do të ketë disa gjëra pozitive. Por do të ketë edhe disa negative”.
“Negotiating Peace” është në festivalin e teatrit “Euro-scene” të Leipzigut më 8 dhe 9 nëntor dhe në teatrin e qytetit të Pragës më 13 dhe 14 nëntor. /KultPlus.com