28 Qershor, 2024 - 2:10 pm
Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar rreth festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, i cili këtë vit ishte planifikuar të mbahej në Beograd, mirëpo është anuluar nga shteti serb, të cilët nuk kanë lejuar mbajtjen e këtij eventi.
“The Guardian” shkruan se grupet e të rinjëve nga Kosova dhe Serbia, të cilët organizojnë ngjarjen kulturore “Mirëdita, Dobar Dan” akuzojnë Ministrinë e Brendshme të Serbisë, që nuk i kanë mbrojtur nga kërcënimet.
“Organizatorët e një festivali të krijuar për të promovuar shkëmbimin kulturor midis Kosovës dhe Serbisë thonë se autoritetete Beogradit janë dorëzuar ndaj presionit nga grupet e huliganëve, duke ndaluar ngjarjen e këtij viti”, shkruhet në artikull.
Në një deklaratë të lëshuar pasditën e së enjtës, ditën që ishte planifikuar të fillonte festivali, policia e Beogradit përmendi shqetësimet e sigurisë si arsye për anulimin e festivalit.
“Gjatë pranisë sonë në zonën ku duhej të mbahej festivali nën mbikëqyrjen e policisë, huliganët arritën të vendosin një dry në hyrjen e pasme, duke krijuar në mënyrë efektive një situatë ku njerëzit mbahen peng para Ministrisë së Brendshme”, thanë organizatorët në një deklaratë.
Disa ditë para fillimit të festivalit, serbët kishin shkruar “Dil jashtë” dhe “Ju nuk jeni të mirëpritur”, në hapësirat e jashtme në vendin ku do mbahej festivali.
Këtë vit, festivali “Mirëdita, Dobar Dan” do të festonte 10-vjetorin e saj, e iniciuar në vitin 2014 për të kapërcyer ndarjet etnike të intensifikuara nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.
Muajin e kaluar, tensionet u rritën nga një rezolutë për të shënuar 11 korrikun si një ditë ndërkombëtare për gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Fatkeqësisht ndalimi i festivalit ishte shumë i parashikueshëm”, tha dramaturgu Jeton Neziraj, drama e të cilit Babai dhe Babai do të hapte manifestimin të enjten.
“Për gjashtë vitet e fundit politika serbe ka bërë shumë përpjekje për ta paraqitur çdo bashkëpunim kulturor mes Kosovës dhe Serbisë si kalë troje, duke e stigmatizuar atë për qëllime të brendshme populiste”, tha Neziraj për Guardian.
Kryetari i bashkisë së Beogradit, Aleksandar Shapiq, tha në fillim të këtij muaji se ai ishte “shprehimisht” kundër mbajtjes së festivalit në qytetin e tij, duke pretenduar se organizatorët e tij po falsifikonin historinë duke mohuar se Kosova ishte serbe./KultPlus.com