13 Korrik, 2019 - 5:04 pm
“Mos shkoni në Gjirokastër. Gjithsesi, kurrë më parë nuk keni dëgjuar për të, dhe për më tepër, kush do të donte të hiqte dorë nga ato pak javë të shumëpritura të pushimit vjetor, për t’i çuar dëm në një qytet malor në Shqipëri? Së pari, është e pamundur të mbërrish në destinacion- e vetmja linjë fluturimi britanike “nonstop” drejt Shqipërisë, të çon në Tiranë, prej nga ku Gjirokastra është më e pakta 4 orë larg (nëse përdor automjetin) dhe në rastin më të keq, nëse përdorni sistemin e transportit publik, të pisët e të pasigurt, rrugëtimi juaj mund të zgjasë deri në 12 orë, për të mos shtuar edhe ndërlikimin e rrugëve zor të kalueshme”.
Kështu shkruan prestigjiozja britanike “The Independent”, në një shkrim mes ironisë e lavdeve për Gjirokastrën, duke përshkruar problematikat që udhëtarët hasin gjatë udhëtimit por edhe bukurisë natyrore që vështirë se do gjenden në vend tjetër.
Natyrisht, nëse do të shikonit se ku pozicionohet Gjirokastra, një pëllëmbë prapa qytetit bregdetar të Sarandës në bregun jugor të Shqipërisë, atëherë mund të kuptoni që është aq pranë Korfuzit nga ku mund të shihni ishujt e Greqisë.
Dhe mandej mund të zbuloni se në fakt ka një traget të lirë që mund të merrni nga Korfuzi në Sarandë, që niset tri herë në ditë dhe që mund t’ju çojë në destinacion për vetëm 30 minuta, por kjo tingëllon shumë e rrëmujshme për pushime.
Përfundimisht, mos shkoni në Gjirokastër. Askush nuk flet anglisht, si fillim. Me gjasë do të duhet të kaloni disa orë ulur në plazh me një vakt 10 herë më të lirë se ai që keni konsumuar në Korfuz atë mëngjes, ose keni ngrënë përbri të njëjtët det (Jon) kristal të pastër para se të mund të zbuloni se si të mbërrini në destinacionin tuaj të ardhshëm.
Dhe pastaj do të duhet të bësh plot ecejake përgjatë rrugës derisa të gjesh një minibus, shoferi i të cilit do të diskutojë me ju për çmimin dhe destinacionin. Në vend të autobuzit të bollshëm ose të “National Express”, që paraqitet në një ekran digjital, atje nuk ka bileta elektronike ose bileta çfarëdo të disponueshme. Ju duhet të bini në ujdi për çmimin e udhëtimit, që nuk është standard, para se të ngjesheni pranë ndonjë familjeje lokale, derisa minibusi të lërë Sarandën dhe disa prej peizazheve më të pabesueshme që ju kanë zënë sytë. Dhe, kush e dëshiron këtë?
Gjirokastra është një makth. Ju ecni nëpër malet dhe luginat, duke vërejtur çdo disa kilometra një nga 173,000 bunkerët, ndërtimin e të cilëve e urdhëroi diktatori Enver Hoxha, në rast lufte gjatë viteve ‘70 dhe ‘80 (ka 5.7 për çdo kilometër katror). Pastaj automjeti merr drejt fundit të kodrës së madhe, që të con deri në qytetin malor.
Në rregull, ju do të shkelni qytetin e vjetër, i cili është teknikisht një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me rrugë me kalldrëm dhe arkitekturë otomane të mirëmbajtur, por që “të vret pas shpine”. Ndërsa zgjidhni fruta të freskëta nga pemët e fikut që mbizotërojnë në kopshtet e harlisura dhe shijoni një darkë prej 5 eurosh në karriget e vendosura në pragjet përgjatë rrugëve dredha-dredha, pa dyshim do të mendoni: pse gjithçka është tatëpjetë këtu?
Sigurisht, hotelet janë të lira dhe të bukura, dhe ofrojnë në menu mëngjese të ndryshme që i bën për ju gjyshja e dikujt, por atje nuk ka asnjë etiketë për të shpjeguar varietetet e ëmbëlsirave, produktet shtëpiake apo erëzat e zonës.
Në rregull, ka një kështjellë të ruajtur mirë në majë, sapo të kesh ecur nëpër tunele guri të pafundme, do të hasni një avion të rrëzuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe askujt nuk i bëhet vonë nëse nga kureshtja depërtoni në brendësi të tij. Argjendi i ndezur i diellit ngjyros një copë bari, bishti i aeroplanit me yllin e famshëm të zi shtrihet në disa shkurre, por nëse ngrini kokën do të përballeni me pamjen e qytetit të vjetër të Gjirokastrës, ngritjet e larta në fund të kodrës kryesore, luginën e rrallë dhe malet përtej. Megjithatë, bën shumë vapë po të ekspozohesh në majë të kodrës dhe gjezdisja rreth një avioni luftarak të SHBA-së, mund të faturohet me cënimin e sigurisë suaj. Llogarisni këtu që nuk keni askënd përreth -po sikur të donit ca gllënjka pijeje freskuese?
Në Gjirokastër ka pak gjasa të ketë jetë nate. Vendi ku përfundojnë mbrëmjeve shumica e turistëve dhe vendasve është veranda e bashkangjitur me “Hotel Kodra”, që gjarpëron nëpër Qytetin e Vjetër dhe ofron një pamje perfekte të perëndimit të diellit përgjatë male. Një pamje frymëmarrëse, por atje nuk gjendet as një barist. Dua të them, ju lutem…