29 Nëntor, 2022 - 10:06 am
Një Shoqatë Ballkanike e Universiteteve Ekonomike u themelua në Shkollën e Lartë të Sigurimeve dhe Financave.
Shoqata është themeluar me iniciativën e kësaj shkolle dhe bashkon universitete nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po hapim një shoqatë e cila bashkon universitetet ekonomike nga rajoni i Ballkanit. Besoj se përpjekjet e bashkuara për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për arsimin e lartë, shkëmbimin shkencor dhe akademik do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit tonë dhe në veçanti të arsimit të lartë në fushën e ekonomisë”, tha rektori i shkollës Boris Velçev.
Ndër qëllimet kryesore të Shoqatës Ballkanike do të jetë përafrimi i programeve të ekonomisë për të lehtësuar njohjen reciproke të diplomave dhe trajnimeve, lëvizshmërinë e studentëve, mësuesve dhe administratës në kuadër të Programit Erasmus dhe programeve të tjera të lëvizshmërisë.
Asociacioni do të krijojë bazat për futjen e programeve të përbashkëta bachelor dhe master.
Kryetar i Bordit Drejtues të Shoqatës Ballkanike u zgjodh Boris Velçev, rektor i Shkollës së Lartë të Sigurimeve dhe Financave.
Shoqata është e hapur për pranimin e universiteteve nga të gjitha vendet e Ballkanit.
Si një nga aktivitetet e para, Asociacioni Ballkanik i Universiteteve Ekonomike do të mbajë një konferencë ndërkombëtare me titull “Ekonomia e së ardhmes”, e cila do të zhvillohet në Sofje nga data 19 deri më 21 prill të vitit 2023./atsh / KultPlus.com