11 Mars, 2021 - 4:55 pm
Bashkësia Evropiane ka hapë thirrjen për nominim për çmimin e BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, 2021, shkruan KultPlus.
“Komunitetet e margjinalizuara ende përballen me forma të rënda të racizmit, diskriminimit, përjashtimit social dhe varfërisë. Përmirësimi i barazisë, përfshirjes dhe pjesëmarrjes së tyre vazhdon të jetë një prioritet kryesor për Komisionin Evropian dhe një kriter për progresin në rrugën e zgjerimit. Andaj që nga viti 2014, Çmimi BE-së për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve ofron njohje, publicitet dhe mbështetje për modelet pozitive që tregojnë rezultate të prekshme në fushën e Integrimit të këtyre komuniteteve”, thuhet në njoftimin e kësaj thirrje.
Kurse çmimi dhe objektivi i tij, këtë vit çmimi i BE-së do të promovojë nisma private ose publike që kanë arritur një kontribut të jashtëzakonshëm në punësimin e qëndrueshëm të komuniteteve, si një mekanizëm për të dalë nga rrethi i përjashtimit. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave të komuniteteve në fushën e punësimit do të jetë një dimension i rëndësishëm.
“Një panel i pavarur vlerësimi do të shqyrtojë aplikimet dhe do të zgjedhë fituesit e çmimit.
Të gjithë fituesit e çmimeve do të marrin njohje ndërkombëtare nëpërmjet ceremonisë së ndarjes së çmimeve, e cila, nëse e lejojnë kushtet, do të mbahet në Bruksel dhe do të fitojnë pjesëmarrje në një vizitë studimore në Madrid me temën “Aksesi në punësim për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët”.
Gjithashtu, të gjithë fituesit e çmimeve mund të marrin më tej mbështetje financiare deri në 7500 Euro”, thuhet në këtë njoftim.
Më tej bëhet e ditur se çmimi është i hapur për institucionet publike dhe private, ndërmarrjet dhe bizneset, punëdhënësit, (duke përfshirë por pa u kufizuar tek NVM-të, bizneset sociale, iniciativat e sipërmarrjes dhe iniciativat e tjera të punësimit); mësuesit, gazetarët, përfaqësuesit e kujdesit shëndetësor dhe shoqëria civile (organizata dhe individë). Të jenë të vendosur/rezidentë në Kosovë.
Konkurrimi është i hapur për nominime dhe për vetë-nominime. Aktivitetet që do të vlerësohen me çmime (qoftë nëpërmjet një çmimi monetar dhe jo-monetar) duhet të kenë arritur rezultate, ose të kenë ofruar potencial të mirë për të kontribuar në rritjen e nivelit ose cilësisë së punësimit të komuniteteve të margjinalizuara.
Organizatorët kanë bërë të ditur se aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet formularit të dedikuar të aplikimit dhe duhet të jenë të lexueshëm, të qasshëm dhe të printueshëm.
KultPlus ju sjell më poshtë edhe kriteret tjera për mënyrën e aplikimit në këtë thirrje:
Një aplikim konsiderohet i vlefshëm, kur plotësohet siç duhet së bashku me Deklaratën e Nderit.
Aplikimet duhet të dorëzohen së bashku me dokumentacionin përkatës, të tilla si fotografi, videoklipe të shkurtra (maksimumi 5 minuta) ose të ngjashme.
Vetëm një aplikim mund të paraqitet për aplikant. Në rast të aplikimeve të shumëfishta, aplikanti do të skualifikohet.
Dokumentet mbështetëse:
– Videoklipe, fotografi;
– Publikime (fletëpalosje, broshura etj, të cilat promovojnë iniciativën /projektin);
– Linqe me faqet e internetit të lidhura me iniciativën / projektin (që do të përmenden në formularin e aplikimit)
– Mbulimin mediatik (nëse ka);
Gjuha:
Gjuha e përdorur si për aplikimet edhe për nominimet është gjuha angleze.
Dokumentet mbështetëse mund të jenë në gjuhë të ndryshme, megjithatë versionet në anglisht do të vlerësohen.
Afatet:
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve dhe nominimeve, së bashku me dokumentet e tjera përkatëse, është data 30 prill 2021, ora 23:59 me kohën lokale.
Paraqitja:
Dorëzimi i aplikimeve (nominimeve dhe vetë-nominimeve) do të kryhet nëpërmjet postës elektronike në adresën: [email protected].
Titulli i emailit duhet të përmbajë inicialet e aplikantit dhe shtetin e origjinës./ KultPlus.com