28 Tetor, 2023 - 10:33 pm
Aktori i famshëm shqiptar, Timo Flloko, ka shkëlqyer në skenën gjigand të Festivalit të Këngës në RTK. Nga aty ai ka kujtuar vendin e tij të lindjes, Pejën, ndaj së cilës ka recituar poezinë të cilën e ka shkruar vite më parë. Përveç kësaj, Flloko ka interpretuar mjeshtërisht dhe me emocione kulmore Himnin e Flamurit.
“Shtëpia ime ka qenë buzë Bistricës, në qendër midis dy urave, përballë kishte kinemanë. Frymëzimet e mia të para i kam marrë aty sepse çdo natë shikoja filma, kryesisht amerikanë. Besoj se aty ka qenë embrioni i frymëzineve të mia për t’u bërë aktor”, ka thënë Flloko për Pejën.
Ai ka shprehur përgëzimet e tij ndaj organizatorëve të Festivalit, duke thënë se asnjëherë nuk është vonë për ngjarje të tilla. Flloko ka ndarë nga skena e Pallatit të Rinisë nga përvoja e tij e gjatë si aktor
“Suksesi është shumëçka, është shumë për artistin, sportistin dhe gjithë krijuesit. Por më e rëndësishme se suksesi është investimi për ta arrirë atë. Fama ndonjëherë mund edhe të blihet e manipulohet por arti jo. Të mbërrish në art nuk është lehtë”, ka thënë Timo Flloko.
“Burrat e tillë trima monumentalizohen, si Çerçiz Topulli, Adem Jashari janë figura që i kapërcejnë dimensionet kohore, mbetën të përjetshëm në kujtesën e kombit. Është nder i madh të kesh fatin të luash, ndjej veten me fat që kam luajtur Çerçiz Topullin”, ka thënë aktori i njohur.
Flloko është i njohur për rolet e tij në filmat “Lulëkuqet mbi mure”, “Njeriu me top” e “Angel’s Dance”./rtk/KultPlus.com