18 Nëntor, 2020 - 3:11 pm
Çdo popullatë e botës, madje duke llogaritur shumëllojshmërinë e personaliteteve individuale, ka karakteristikat e saj të veçanta që i bëjnë ato unikale. Këto tipare ndonjëherë edhe komike i bëjnë njerëzit të qeshin me zë të lartë. Po cilat janë disa nga tiparet shqiptare:
1. Mikpritja, shqiptarët nuk do t’ju lenë kurrë të largoheni i uritur
Edhe vizitat më të rastësishme në shtëpinë e një miku nuk mund të jenë kurrë rastësore në Shqipëri. Ushqim, pije apo edhe ëmbëlsirat – gjithçka do të shërbehet. Dhe nëse një shqiptar ju fton për darkë, si në shtëpi apo në një restorant, mund të jeni i sigurt që nuk do të largoheni nga ky vendi pa u kënaqur plotësisht. Ju do ta kuptoni që në fund do të dorëzoheni dhe do të pranoni të gjitha gjërat që iu servirin si antipastat, pijet, mezet, mishin, ëmbëlsirat dhe shumë të tjera.
2. Nëse një shqiptar ju takon, ai/ajo do ju ftoj për kafe
Nëse mendoni se mund ta kaloni me sukses një bisedë nga një takim i thjeshtë dhe të mos ftoheni për kafe nga shqiptarët, atëherë e keni gabim! Një shëtitje e rastësishme përgjatë shëtitoreve mund të shndërrohet në një kafe apo një birrë dhe në një bisedë të gjatë dhe të këndëshme. Pavarësisht se në ditët e sotme disa nga traditat e vjetra shqiptare po humbasin, kjo mesa duket nuk do të ndryshojë për një kohë të gjatë tek shqiptarët.
3. Një shqiptar nuk ju mërzit kurrë
Shqiptarët e kanë argëtim në ADN-në e tyre. Na pëlqen të flasim, të shoqërohemi, të jemi social, por dhe mbi të gjitha nuk na pëlqejnë momentet e qetësisë. Pavarësisht se sa shumë mund të punojmë gjatë ditës, dëshira për t’u argëtuar dhe dëfryer është rrënjosur thellë tek ne. Nëse bëheni pjesë e shoqërisë shqiptare, është mirë të dini që shqiptarët janë përgjegjës për përvojën tuaj dhe mundohen gjithmonë t’ju kënaqin. Një ditë pa ndonjë dozë të vogël argëtimi është e paimagjinueshme për shqiptarët dhe nëse shoqëroheni me ta sigurisht që do të jeni pjesë e këtyre aventurave.
4. Shqiptarët e pëlqejnë humorin
Mund të jetë për shkak të historisë dramatike të vendit apo edhe një përgjigje ndaj natyrës së bukur, peizazhit apo edhe klimës së vendit. Dhe mbi të gjitha ne nuk e di se çfarë na bën të mos jemi në gjendje të kemi një bisedë të gjatë dhe serioze pa futur ndonjë shaka në mes. Sensi i humorit është e rëndësishme për shqiptarët, pse jo mendojmë që mund të jetë edhe për të tjerët.
5. Nëse uleni në bar me një shqiptar, e sigurt që do të ziheni për pagesën e faturës
Nëse dilni në një kafe, drekë apo darkë me një shqiptar gjithmonë 10 minutat e fundit do t’ja kushtoni pjesës se kush do të paguaj. Dhe diskutimet e shpeshta që bëhen për këtë pjesë është ‘që unë të ftova’ (edhe nëse kjo nuk është e vërtetë) apo edhe deklarata paksa më dramatike të tipit “nëna ime do të më vriste, nëse do të paguaje ti” ose “Betohem për nderin e gjyshit tim.”/ IntoAlbania / KultPlus.com