7 Shtator, 2019 - 1:30 pm
Me përfaqësues të institucioneve akademike dhe universitare të Republikës së Shqipërisë, Qendra për Studime dhe Publikime për Arbëreshët është përpjekja e parë e shtetit shqiptar për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor të arbëreshëve të Italisë dhe të Kroacisë.
Për herë të parë studimet dhe kërkimet mbi arbëreshët do të jenë të institucionalizuara, transmeton KultPlus.
Me vulën e institucioneve të shtetit shqiptar, akademikë e studiues të shumtë do të promovojnë “ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kulturor të komunitetit arbëresh”.
Krejt kjo përmes Qendrës për Studime dhe Publikime për Arbëreshët, e cila është themeluar të premten nga Këshilli i Ministrave të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Funksioni kryesor i kësaj qendre do të jetë “kryerja e studimeve për komunitetin arbëresh, promovimi, ruajtja e gjuhës dhe identiteti kulturor tek ky komunitet, si dhe me organizimin e aktiviteteve, seminareve dhe konferencave shkencore, të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh”./koha.net/ KultPlus.com