9 Nëntor, 2024 - 10:30 am
Dy qytetet, Tirana dhe Aleksandria do të bashkëndajnë gjatë vitit që vjen titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
Gjatë një vizite dy ditore që zhvilloi në Egjipt, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u prit në një takim nga Guvernatori i Aleksandrisë, Zëvendës-Admirali, Ahmed Khaled Hassan Said.
Ata diskutuan mbi perspektivat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore mes dy qyteteve.
“Tirana është zyrtarisht kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, bashkë me Aleksandrin e famshëm, ku prej 200 vitesh kemi pasur një koloni shqiptarësh, të Andon Zako Çajupit, të Jani Vretos, të Thimi Mitkos. Një pasuri e jashtëzakonshme që na jepet si mundësi sot për të treguar kulturën tonë këndej dhe andej Mesdheut. Ndaj, e vlerësoj shumë gatishmërinë e qeverisë së Egjiptit, të princeshës së Jordanisë, të të gjithë Unionit të Mesdheut, për ta bërë Tiranën simbolin e bashkëjetesës Mesdhetare të Kulturës dhe të Dialogut.”
43 Shtetet Anëtare të Unionit për Mesdheun shpallën Tiranën dhe Aleksandrinë dy Kryeqytetet e para të Kulturës dhe Dialogut, dhe do ta mbajnë këtë titull përgjatë gjithë vitit 2025./ KultPlus.com