1 Nëntor, 2022 - 12:04 pm
Tirana do të mikpresë Javën e Kulturës Hungareze në Shqipëri më 2 nëntor.
Si pjesë e eventit prezantues ditën e mërkurë do të jetë dhe hapja e ekspozitës “Vanice Art”, e cila do të prezantojë punimet e inteligjencës artificiale nga artisti inovator hungarez Péter Vanicsek.
Arti i inteligjencës artificiale vjen për herë të parë në Shqipëri dhe sjell një teknologji të re për botën dhe një univers pa limit për fotografinë e rindërtuar.
Festivali “Hungarissimo” do të promovojë kulturën shqiptare dhe hungareze dhe aksesin në krijimtarinë bashkëkohore.
Kjo javë është strukturuar si një platformë shumëdisiplinore që do të ofrojë një larmi formatesh, duke përfshirë performanca muzikore, masterklasa, seminare, forume artistike, e të tjerë.
Programi që vjen ka një gamë të gjerë zhanresh dhe fushash si artet performuese dhe pamore, fotografia, letërsia, shahu, inovacioni në art, kulinaria e industritë krijuese. Mbi të gjitha, do të shoqërohet me ardhjen në Shqipëri të mjaft artistëve brilantë e të kalibrit botëror.
Almira Emiri, Drejtore e Festivalit dhe pianiste shqiptare që ka punuar dhe jetuar mbi 20 vite në Hungari, e cilëson eventin si një mundësi të artë për të sjellë sa më pranë dy vendet.
Ndërsa Mira Hoxha, ish-ambasadore në Hungari dhe Anëtare Nderi e Bordit të Festivalit vlerëson rëndësinë në kontekstin e historikut të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Këtë vit, ky festival vjen si një celebrim i denjë i 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe një shenjues i asaj që duhet të vijë në 100 vitet e ardhshme”, është shprehur ish-ambasadorja.
Eventi realizohet nga Festival Academy në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Tiranë.
Java e Kulturës Hungareze (2-6 nëntor 2022) vjen në vazhdën e javëve kulturore ndërkombëtare të organizuara nga kryeministria e në partneritet me Ministrinë e Kulturës. / atsh / KultPlus.com