10 Shtator, 2024 - 12:10 pm
Ekspozita e World Press Photo që është duke u shfaqur në sheshin “Skënderbej”, është krijimi i një grupi fotografësh nga vende të ndryshme të botës, të cilët paraqesin jo vetëm pamje të bukura, por kryesisht histori të fuqishme, e madje tronditëse. Kjo e bën të rëndesishme këtë ngjarje artistike, me ngarkesë jo vetëm artistike por edhe informuese.
Tirana është pjesë e turneut mbarëbotëror që po realizon ekspozita vjetore e World Press Photo.
Çdo vit, ekspozita udhëton anembanë globit për të lidhur miliona vizitorë me historitë që kanë rëndësi. Fotografitë e ekspozuara, të perzgjedhura nga më shumë se 61,000 foto, realizuar prej 3.851 fotoreporterësh, të ardhur nga 130 vende, tërheqin vëmendjen në disa nga çështjet më të ndjeshme me të cilat përballet bota sot.
Aktualisht ekspozita gjendet në Eindhoven, Tiranë, Tegucigalpa, Vjenë, San Paulo, e shumë të tjera.
Gjithçka filloi në vitin 1955 kur një grup fotografësh holandezë organizuan një konkurs ndërkombëtar (“World Press Photo”) për të ekspozuar punën e tyre para një audiencë globale. Për gjashtë dekada, World Press Photo Foundation ka punuar nga selia në Amsterdam si një organizatë e pavarur, jofitimprurëse. Bota ka ndryshuar vazhdimisht, dhe zhvillimet e reja në media dhe teknologji kanë transformuar gazetarinë dhe tregimin.
Qëllimi i World Press Photo është të lidhë botën me historitë që kanë rëndësi./atsh/KultPlus.com