Tish Daija, kompozitori i shquar me krijimtari në të gjitha gjinitë muzikore

30 Janar, 2025 - 9:01 am

Më 30 janar të vitit 1926 lindi kompozitori dhe muzikanti shqiptar Tish Daija.

Lindi në Shkodër nga një familje artizanësh. Ende pa hyrë në shkollë bëhet pjesëtar i korit françeskan. Në moshën 10-vjeçare merr pjesë në bandën muzikore “Antoniane” të drejtuar nga Prenkë Jakova dhe filloi t’i bjerë klarinetës, saksofonit e disa veglave të tjera.

Në moshën 13-vjeçare ai krijoi këngët e tij të para si “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, ‘’Sylarushe”, këngë të cilat mbeten ende mjaft popullore dhe këndohen nga këngëtarë të ndryshëm.

Në vitin 1946 pasi mbaroi studimet dhe u emërua mësues muzike në Vlorë.

Më pas u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956).

Tish Daija dha një kontribut të madh dhe në Ministrinë e Arsimit dhe e Kulturës ku punoi për 6 vjet. Në vitin 1962 u emërua në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore ku organizoi një sërë koncertesh brenda dhe jashtë trojve shqiptare.

Me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar. Kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën (“Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.). Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

Për gjithë veprimtarinë, kontributin dhe punën e palodhur që dha për muzikën shqiptare, u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me titullin “Profesor” si dhe ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme