16 Maj, 2024 - 2:11 pm
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, u dorëzoi trashëgimtarëve të projektuesve të mëdhenj të digave, Egon Gjadri e Enver Preza, mirënjohjen “Nderi i Akademisë”.
Dorëzimi i titullit u bë në seancën e hapjes të konferencës për një cilësi e siguri më të lartë të digave, organizuar nga Komiteti Shqiptar i Digave të Mëdha e të Vogla, me praninë e Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Digave.
Motivacioni për Egon Gjadrin thotë: Bashkëhartues i skemës së shfrytëzimit të energjisë ujore në rrjedhën e lumit Drin; me kontribut origjinal tekniko-shkencor për projektimin e tuneleve të veprave të mëdha hidroteknike dhe të konstruksioneve të tjera hekurudhore e rrugore; si dhe për organizimin dhe drejtimin profesional të ekipeve të suksesshme për projektimin e digave më të mëdha të vendit tonë, si drejtues i suksesshëm në zbatimin krijues të shkencës në projektim.
Ndërsa në motivacionin për Enver Prezën thuhet: Për merita të shquara tekniko-shkencore në fushën e projektimit të çimentimeve të thella poshtë digave të mëdha, elemente kryesore ndër më të rëndësishmit në veprat e mëdha hidroteknike të ndërtuara në kaskadën e lumit Drin; që zgjidhi probleme nga më të ndërlikuarat në projektimin e perdeve të çimentimit dhe të tuneleve; të bllokimit të lëvizjes së ujërave nëntokësore; personalitet që dhe pas shumë dekadash është vështirë të kapërcehet./atsh/KultPlus.com