TKOB: “Lucia di Lammermoor”, në Tiranë me yllin ndërkombëtar të belkantos

27 Nëntor, 2024 - 2:03 pm

Pasi njoftoi se së shpejti do të sillte “Lucia di Lammermoor”, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit shoi kureshtjen e artdashësve duke bërë të ditur se do të jetë Jessica Pratt, ylli ndërkombëtar i belkantos ajo që do të interpretojë në TKOB.

E cilësuar nga prestigjiozja “The New York Times” si një soprano me “tingull të ndritshëm dhe të pastër, nota të larta të lira dhe të lehta, koloratura të shkathëta dhe të rrjedhshme, si dhe një hijeshi lirike të veçantë”, Jessica Pratt është një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës operistike sot.

Pas debutimit të saj si Lucia di Lammermoor në vitin 2007, Jessica ka performuar në disa nga teatrot dhe festivalet më prestigjioze në botë, përfshirë: Royal Opera House, Teatro alla Scala, The Metropolitan Opera, Arena di Verona e Teatro Real Madrid.

Bashkëpunimet me dirigjentë legjendarë si Daniel Oren, Gustavo Dudamel, Riccardo Frizza dhe Zubin Mehta e bëjnë karrierën e saj një model frymëzimi për artdashësit e operës kudo në botë.

Jessica Pratt është fituesja e çmimeve prestigjioze si “Oscar della Lirica” dhe “La Siola d’Oro” dhe vazhdon të magjepsë audiencat me zërin dhe interpretimin e saj të jashtëzakonshëm.

Këtë herë, Jessica Pratt vjen në TKOBAP për të interpretuar rolin ikonë të Luçias, në kryeveprën e pavdekshme të Donizetti-t, “Lucia di Lammermoor”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme